Nga: Timothy Garton Ash “European Council on Foreign Relations”
“Evropa do të ndërtohet përgjatë krizave, dhe do të jetë shuma e zgjidhjeve të adoptuara për ato kriza”. Kështu u shpreh dikur Zhan Mone, një nga etërit themelues të Bashkimit Evropian. Lloji i Evropës që do të dalë nga kriza e koronavirusit, do të varet nga përgjigjet që do t’i jepen 3 testeve.
Së pari, testi hungarez: a mund të jetë një diktaturë anëtare e BE? Edhe para këtij viti, Viktor Orban dhe partia e tij Fidesz e kishin gërryer demokracinë në Hungari, deri në atë shkallë saqë nëse do të ishte kandidat, vendi nuk do kualifikohej dot për pranim në BE.
Tani ai ka përdorur pandeminë e koronavirusit, si një justifikim për të marrë kompetenca të jashtëzakonshme, duke e lejuar atë të sundojë me dekret për një periudhë të pakufizuar. Për sa kohë që do të zgjasin këto kompetenca, Hungaria është realisht një diktaturë.
Mone tha gjithashtu dikur, se një diktaturë nuk mund të jetë anëtare e Komunitetit Evropian. Dhe në fakt sot është. Sanksionet që janë në dispozicion të institucioneve të BE-së, janë të ngadalta dhe komplekse.
Por ndërkohë ekziston edhe një organizatë, që mund dhe duhet të veprojë tani më me vendosmëri: Partia Popullore Evropiane (PPE), grupimi shumë me ndikim i qendrës së djathtë, ku Fidesz është ende anëtare. Ndonëse kjo parti momentalisht është pezulluar, eurodeputetët e Fidesz janë ende pjesë e grupit të PPE në Parlamentin Evropian.
PPE-ja duhet të kishte përjashtuar këtë parti shumë kohë më parë. Por ajo ka ndjekur një politikë të ngjathët. Nëse nuk e përjashton partinë e diktatorit hungarez, ajo do të humbasë çdo lloj besueshmërie. Kur politikanët e PPE-së, të mbajnë fjalime të shkëlqyera mbi demokracinë, sundimin e ligjit dhe vlerat evropiane, evropianët e rinj do të jenë më shumë se të justifikuar të thonë:Dhe këtë e thoni ju, hipokritë!
I dyti është testi italian. A ka më solidaritet në “zemrën” e Evropës? A do t’i lejojë eurozona rimëkembjen e vendeve të saj më të goditura? Muajin e kaluar, ne pamë të tmerruar sesi një nga pjesët më të zhvilluara të kontinentit tonë, me një nga shërbimet më të mira shëndetësore, u mposht nga pandemia.
Kur Italia të dalë nga ky Ferr, ajo do të përballet me një sfidë të madhe të rimëkëmbjes ekonomike, e ndodhur në vështirësi edhe nga fakti se ajo ka tashmë një nga nivelet më të larta të borxhit kombëtar në eurozonë. Dhe aftësia e saj për të marrë hua shuma të mëdha parash, do të varet nga besueshmëria e mbështetjes së ndërsjellë brenda eurozonës.
Mund të ketë një BE pa Britaninë e Madhe. Por jo një BE pa Italinë. Edhe para pandemisë, Italia ishte shndërruar nga një prej vendet më eurofile në BE, në një nga më euroskeptiket. Kriza e fundit i ka forcuar më tej këto ndjenja. Në një sondazh të kryer në fillim të muajit të kaluar, 88 përqind e italianëve thanë se mendonin se Evropa nuk po e mbështet Italinë, dhe 67 për qind e tyre e shohin anëtarësimin në BE si një disavantazh.
Dhe testi i tretë, është prova me të cilën përballet Gjermania:a mund ta nxjerrë ajo BE-në, nga kjo krizë e rëndë ku është zhytur? Gjermania ka patur përgjigjen më mbresëlënëse kombëtare ndaj pandemisë, se çdo demokraci tjetër jashtë Azisë.
Testet në shkallë të gjerë, ventilatorët dhe shtretërit e shumtë të kujdesit spitalor, treguan qartë avantazhet e të paturit shërbime të mira publike, dhe të një industrie të fortë shëndetësore. Kancelarja Angela Merkel mbajti një fjalim të jashtëzakonshme për kombin gjerman, një ligjëratë mbi demokracinë, solidaritetin dhe përgjegjësinë individuale, të mbajtur me trurin e një shkencëtareje dhe zemrën e vajzës së një pastori. Mungonte vetëm një gjë. Nuk u përmend fjala “Evropë”.
Ndërkohë, Gjermania ka treguar solidaritet me fqinjët e saj europianë më të goditur nga pandemia, duke dërguar dërgesa të mëdha me maska për fytyrën në Lombardi, dhe transportuar në spitalet gjermane, pacientët italianë dhe francezë të sëmurë rëndë.
Por udhëheqja gjermane, duhet tani të reagojë ndaj krizës ekonomike dhe politike, që ka përfshirë unionin. Gjermania mund ta ndihmojë Evropën të kalojë testin hungarez, jo vetëm sepse Demokristianët e Merkelit janë tashmë partia më e fuqishme në PPE. Tani, ata me siguri duhet të votojnë dëbimin e Fidesz.
Të gjithë kandidatët, që do të pasojnë Merkelin në drejtimin e parties, duhet të pyeten se çfarë do të bëjnë mbi këtë çështje. Por kontributi i Gjermanisë do të jetë vendimtar përballë testit italian. Nëse eurozona do që të rifitojë “shëndetin” e saj ekonomik, qeveria italiane dhe qeveritë e tjera të Evropës Jugore, duhet të jenë në gjendje të marrin hua, duke përdorur besueshmërinë financiare të Gjermanisë dhe shteteve të tjera të Evropës Veriore.
Pas Italisë, Spanja është goditur më shumë nga kriza. Kryeministri spanjoll, Pedro Sançez, ka folur për nevojën që Evropa të ndërtojë një “ekonomi të kohës së luftës”, ndërsa bëri thirrje për një Plan të ri Marshall. Shtatë ekonomistë të njohur gjermanë, kanë argumentuar se ky plan rimëkëmbje duhet të përfshijë emetimin e 1 trilionë eurove në bonove të komunitetit, të garantuara bashkërisht nga të gjitha qeveritë e eurozonës.
Tabloidi kryesor i Gjermanisë “Bild”, publikoi së fundmi një letër të hapur drejtuar Italisë me titullin “Ne jemi me ju!”. Artikulli vlerësonte Italinë për “ushqimin e mirë” dhe përfundonte: ”Ciao, Italia. Do rishihemi së shpejti. Për një kafe ekspres, një gotë vere të kuqe, për pushime apo në një piceri”.
Një ide interesante e solidaritetit. Disa ditë më parë, e njëjta gazetë botoi një artikull me titull “Çfarë do të bëhet me eurozonën?”. Të nderuar lexues të “Bild”, ajo që i duhet Italisë nuk është zakoni juaji për të pirë një kafe ekspres gjatë pushimeve në Toskana, edhe pse kjo do të ishte pa dyshim diçka e këndshme, por marrja e një borxhi, si pasojë e domosdoshme e një unioni monetar evropian, nga i cili keni përfituar shumë edhe ju gjermanët.
Vetëm një njeri në Evropë mund të ndërmarrë veprimet e nevojshme: Angela Merkel. Ajo ka një shans të fundit, për të hyrë në histori si një arkitekte kryesore e një BE-je më të fortë.
TIRANA TODAY