Me karantinën ku janë futur aktualisht shumë vende të botës për shkak të koronavirusit, është ndalur në thelb rrjedha normale e jetës. Autoritetet na kërkojnë të rrimë në shtëpi, dhe të zvogëlojmë në minimum aktivitetet tona sociale, dhe ato jashtë shtëpisë.
Tipat më të qetë, po shohin shumë avantazhe tek kjo periudhë. Por për të gjithë të tjerët, për tipat më socialë, kjo është një situatë tepër sfiduese. E megjithatë, edhe karantina mund të na japë shumë mësime të vyera për jetën. Të gjithë mund të mësojmë nga kjo situatë e vështirë, si personat introvertë (mbyllur) ashtu edhe ekstrovertë (të hapur).
- Mos lini pafundësisht në sirtar ëndrrat dhe projektet tuaja
Në pamje të parë, kjo gjë mund të tingëllojë si absurde. Tek e fundit, jeta e të gjithëve është sot për sot pezull. Por po flasim për jetën tonë para pandemisë së koronavirusit (dhe shpresojmë edhe pas saj). Të gjithë ne kemi diçka për të cilën ëndërrojmë, por nuk kemi guximin që ta realizojmë.
Të gjithë kemi plane në jetë, por presim kohëra më të mira për t’i kthyer ato në realitet. Ndoshta keni dashur të ndryshoni rrugën tuaj në karrierë, apo të keni një fëmijë. Ndoshta keni ëndërruar të udhëtoni nëpër botë, apo të regjistroheni në ndonjë kurs arti. Tani për tani, ju nuk mund të bëni asnjë nga këto gjëra për shkak të karantinës.
Duhet të prisni, dhe kush e di për sa kohë. Kur ne i shtyjmë vazhdimisht planet dhe ëndrrat tona, vjen një kohë kur ne nuk mundemi më (ose apo nuk dëshirojmë) t’i realizojmë. Prandaj, mos i lini pas dore ëndrrat, dhe mos i lini në pritje planet dhe qëllimet që keni në jetë, duke pritur momentin e duhur. Ky moment, mund të mos vijë kurrë.
- Jetoni çastin, dhe gjeni lumturi tek gjërat e thjeshta
Për momentin ndodheni të mbullur në shtëpi, i mërzitur dhe vetmuar. Por edhe në izolim, keni të gjitha mundësitë të gjeni mënyra për t’u argëtuar, dhe gjëra për të cilat të jesh duhet të jesh mirënjohës. Shfrytëzojeni këtë situate, si një mundësi për të kaluar kohë cilësore me familjen dhe fëmijët tuaj.
Telefonojini vazhdimisht prindërve tuaj. Lexoni libra ose gjeni një kurs online në internet, që keni dashur ta ndiqni gjithmonë. Kjo listë mund të jetë e pafundme. Edhe në kohën e karantinës dhe distancimit social, ju mund të shijoni veten dhe të jetoni çastin. Gëzimet e jetës së përditshme, si një telefonatë me mikun tuaj më të mire, apo një shëtitje e shkurtër me qenin tuaj, kanë fuqinë për t’ju lumturuar.
Me mbarimin e emergjencës së koronavirusit, ne të gjithë kemi mundësinë të shohim që lumturia bazohet tek gjërat e thjeshta dhe të përditshme. Dhe më e rëndësishmja, jo tek gjërat materiale. Bizhutë e shtrenjta dhe rrobat firmato, nuk hyjnë për momentin dhe aq në punë. Por kënaqësitë e thjeshta si leximi i një libri të mirë, apo një bisedë e ngrohtë me një njeriu të afërt vlen ndonjëherë më shumë sesa ari.
- Një pushim, është gjithnjë i nevojshëm
Një mënyrë jetese që nxit vazhdimisht ankth, është bërë normale në botën tonë. Para pandemisë, ne as që mund t’i imagjinonim dot ditët tona pa orare të ngjeshura, dhe pa shumë stres të panevojshëm. E megjithatë, ja ku jemi. E gjithë bota po pushon për momentin.
Pavarësisht sa e vështirë mund të ndjehet situata e përgjithshme e pandemisë, ne mund të përfitonim nga kjo pauzë. Reflektoni disa momente, për ta vlerësuar këtë gjë. Shijoni gjumin e bollshëm që ju mungonte më parë. Relaksohun i në shtëpi, bëni një banjo me ujë të nxehtë, thjesht mos e lejoni veten të dembeloseni.
Që të gjithë e dimë se ankthi dhe stresi, janë shumë negative për shëndetin tonë fizik dhe mendor. Ndaj të qenit i zënë gjatë gjithë kohës me diçka, mund të na e largojë vëmendjen nga përmbushja e qëllimeve tonë në jetë. Kur mendjet tona janë vazhdimisht të zëna me shqetësimet e punës dhe problemet e përditshme, ne e humbasim kontaktin me veten tonë të brendshme .
Prandaj, një pushim mund të na ndihmojë të dëgjojmë zërin e shpirtrave tanë. Përdoreni kohën e karantinës, për të njohur më mirë veten, dhe për të zbuluar se çfarë ju bën realisht të lumtur, dhe çfarë sjell kuptim në jetën tuaj.
- Vlerësoni natyrën
Ata që jetojnë në qytete, kanë rrallë mundësinë të shpëtojnë nga bota e betonit dhe asfaltit, dhe të afrohen me natyrën. Shumë njerëz mendojnë natyrshëm mbi shëtitjet në park që nuk i kanë kryer, apo për udhëtimet në fshat që nuk i ndërmorën. Edhe tipat më të mbyllur që nuk dalin kaq shpesh jashtë, ka të ngjarë ta kenë këtë lloj keqardhjeje.
Tani që shumica e njerëzve po qëndrojnë në shtëpi dhe turizmi ka “vdekur”, natyra po ripërtërihet. Shkencëtarët po raportojnë ulje të ndjeshme të nivelit të ndotjes në Itali. Edhe ujërat në kanalet e Venecias në Itali janë pastruar, pasi në qytet nuk ka turistë, ndërsa banorët vendas po qëndrojnë në shtëpi! E vërteta e trishtë, është se ne jemi bërë parazitë të planetit tone. Ndoshta ka ardhur koha, të fillojmë ta trajtojmë atë me më shumë respekt dhe vlerësim.
- Jini gjithmonë gati për kohërat e vështira
Situata si kjo e pandemisë, na mësojnë se duhet të vazhdojmë të jemi optimistë për atë që na rezervon e ardhmja, por gjithsesi duhet të të jemi gati edhe për më të keqen. Të keni gjithmonë pak para mënjanë për të pasur një siguri financiare dhe sigurim shëndetësor. Asnjëherë nuk i dihet se çfarë mund të ndodhë nesër.
Ju mund të thoni që kjo është një qasje shumë pesimiste. Jo, është thjesht realiste. Disa na këshillojnë të mendojmë pozitivisht pavarësisht rrethanave. Keni humbur punën? Mendoni pozitivisht. Keni një konflikt të rëndë me një familjarin tuj? Mendoni pozitivisht. Kërcënohesh nga koronavirusi? Mendoni pozitivisht.
Ndërsa pozitiviteti ka mjaft përfitime, kjo lloj këshillë është e vlefshme vetëm në një masë të caktuar. Nëse sëmureni seriozisht ose ju mbarohen ushqimet në shtëpi, asnjë lloj mendimi pozitiv nuk mund t’ju ndihmojë. Shpesh për të zgjidhur një problem, duhet të ndërmerrni veprime të vërteta.
Prandaj kultivoni një qëndrim optimist për jetën, por përgatituni për fatkeqësi të mundshme që mund t’ju trokasin në derë. Pandemia e koronavirusit, është një situatë e vështirë për të gjithë. Por edhe kjo do të kalojë. Ndërkohë, përdoreni këtë periudhë izolimi si një mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur si njeri. Tek e fundit, gjatë kohërave të vështira, ne zbulojmë forcën dhe këmbënguljen tonë të brendshme.
TIRANA TODAY