Në zonën e Astirit ditën e sotme ka pasur përplasje të ashpra mes banorëve dhe policëve.
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka vizituar të lënduarit që gjenden në spitalin e Traumës.
Gjatë një deklarate mediatike ai ka theksuar se të lënduarit janë në gjendje të rëndë.
“Janë në gjendje të rëndë, janë dhunuar në mënyrën më barbare. Kam parë disa të moshuar mbi 70 vjeç, të gjakosur nga dhuna me shkopinj e me grushte, gra të alivanosura nga përdorimi i gazit lotsjellës, pra një numër i madh banorësh të lënduar, traumatizuar.
Ky është një bilanc i një goditje të planifikuar nga Edi Rama, është një skenar i përgatitur me kujdes. Kishte një qëllim të çonte drejt gjakosjes, përgjakjes e konfrontimit me forcat e rendit për të fshehur vjedhjen e madhe që kanë planifikuar tek unaza e re.
Me rëndësi është që sot qytetarët ta kuptojnë që nuk bëhet fjalë për një projekt zhvillimi, s’ka të bëjë me rrugë të re, është një rrugë ekzistuese që përdorej në mënyrë normale, ishte një projekt vjedhje që u denoncua nga PD.
Rama është i vendosur ta çojë këtë vjedhje deri në fund, e nuk kursen as jetën e qytetarëve, është krim i rëndë kundër jetës së qytetarëve e banesave të tyre.
Paralajmëroj gjithsecilin nga urdhëruesit, ekzekutorët që do mbajnë përgjegjësi para ligjit, dita s’do vonojë e iu jap fjalën që s’do mungojë dita kur ata do përgjigjen para ligjit për këtë dhunë barbare për të mbushur xhepat e tyre”, tha Basha.