Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi është shprehur se vetëm zgjedhjet e parakohshme mund të zgjidhin krizën politike që ka përfshirë vendin.
Përmes një deklarate për mediat, Bardhi tha se shqiptarët nuk kanë një qeveri legjitime që prej zgjedhjeve të manipuluara të vitit 2017. Sipas tij, qysh prej 30 qershorit, shqiptarët nuk kanë as pushtetin lokal që të punojë për interesin e tyre.
Teksa shton se kjo gjë e ka ndihmuar Ramën që të emërojë në krye të bashkive shërbëtorët e tij.
“Disa prej tyre përfaqësojnë llumin e shoqërisë, janë trafikantë droge, falsifikatorë apo hajdutë, të cilët duhet të ishin sot prapa hekurave, sepse kanë shkelur ligjin duke fshehur të kaluarën e tyre kriminale. Pas shqiptarëve, që braktisën votimet moniste dhe të paligjshme të 30 qershorit, janë organizatat ndërkombëtare ato që kanë dalë në të njëjtin përfundim me opozitën se votimet moniste nuk i shërbyen demokracisë në Shqipëri dhe se vetëm zgjedhjet e parakohshme, të lira dhe të ndershme mund të zgjidhin krizën politike”, tha ai.
Bardhi deklaroi se mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme qëndron në themel të krizës politike në Shqipëri.
“Qytetarët shqiptarë, njësoj si qytetarët e Bashkimit Evropian meritojnë të kenë një qeveri qendrore dhe një pushtet lokal të zgjedhur me votë të lirë, të pandikuar nga krimi, të pablerë nga paratë e pista të drogës dhe korrupsionit. Edi Rama nuk mund të sillet si struci dhe të bëjë sikur kriza në Shqipëri nuk ekziston”, shtoi ai.