Nga Javier Solana “Project Syndicate”
Madrid – Pak rajone të botës, janë më komplekse në rrafshin kulturor dhe politik, sesa Ballkani. Dhe nuk mund të ketë një ilustrim më të qartë për të shkuarën dhe të tashmen e rajonit, sesa jeta dhe trashëgimia e njërit prej djemve të saj më të jashtëzakonshëm:fizikantit dhe shpikësit Nikola Tesla.
I lindur në një familje serbe dhe ortodokse në vitin 1856, në një qytet që sot është pjesë e Kroacisë, kombësia e Teslës, mbetet ende një objekt debati në rajon. Tesla besonte se përparimet shkencore, duhet të përdoreshin për të ndërtuar ura ndërmjet vendeve, dhe përfundimisht për të arritur paqen globale. Por ka njerëz si në Kroaci ashtu edhe Serbi, që duan ta përshtasin trashëgiminë e tij në mënyra që garantojnë drejtësi.
Edhe kontributet e Tesla në fushën e fizikës, kanë ringjallur dinamikat e komplikuara politike të vendit të tij të lindjes. Në Sistemin Ndërkombëtar të Njësive, tesla është një matje për densitetin e fluksit të një fushe magnetike. Dhe ashtu si vuri në dukje Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, disa muaj më parë, “Ballkani mund të shndërrohet lehtësisht, në një nga ‘fushat e shahut’ ku mund të luhet loja e madhe e fuqive”.
Në fakt, rajoni ka qenë gjithmonë në mesin e poleve konkurruese, ku secila e projektonte fuqinë e vet me anë të rrjeteve të ndërlidhura ekonomike, politike, historike dhe kulturore. Për Bashkimin Evropian, luftërat që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990, nënkuptonin një dështim absolut. Pasi dhuna përfundoi, Brukseli u përpoq të përdorte tërheqjen e vet magnetike, për të bërë bashkë territoret e ish-Jugosllavisë nëpërmjet një procesi rindërtimi dhe pajtimi. Por kjo strategji, prodhoi rezultate të pabarabarta.
Ndonëse disa vende me shumicë serbe ortodokse – Greqia, Bullgaria dhe Rumania – kanë hyrë në BE, të vetmet vende post-jugosllave që do t’i bashkoheshin unionit – Kroacia dhe Sllovenia – janë kryesisht katolike, një realitet që ushqen një narrativë kundërproduktive. Kur Gjermania dhe Vatikani, njohën shpejt pavarësinë e Kroacisë dhe Slloveninë në vitet 1991 dhe 1992, ata përforcuan kuptimin e asaj që shkencëtari politik Samuel P.Huntington, e quajti më vonë si një “përplasje qytetërimesh”.
Për Huntingtonin, luftërat Jugosllave përputhen në mënyrë perfekte me paradigmën e tij të thjeshtë, me Krishterimin Perëndimor – Katolicizmin dhe Protestantizmin – nga njëra anë, dhe pjesën tjetër të feve të Evropës në anën tjetër. Kroacia dhe Sllovenia, kanë kërkuar të dyja që “Ballkani Perëndimor 6” – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – të bëhen gjithashtu pjesë e BE-së.
Por përparimi është penguar, nga një mori mosmarrëveshjesh politike dypalëshe, midis Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të BE, ngjashëm me rastin kur Sllovenia, duke përfituar nga anëtarësimi në BE, e bllokoi përkohësisht pranimin e Kroacisë në union.
Për më tepër, rrethanat brenda vetë BE-së – krizat ekonomike, dhe rritja e partive politike ksenofobe gjatë viteve të fundit – e kanë vënë në plan të dytë politikën e saj të zgjerimit, me presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker, që deklaroi në vitin 2014, se asnjë anëtar i ri nuk do të pranohej në BE përpara vitit 2019.
Në të njëjtën kohë, normat dhe institucionet demokratike në Ballkanin Perëndimor, janë zbehur. Vende të tjera me ndikim të fortë në rajon – Rusia, Turqia dhe Hungaria, ku BE-ja nuk ka arritur të parandalojë një rrëshqitje drejt autoritarizmit nën kryeministrin Viktor Orban – po ofrojnë modele politike alternative, që mund të ndiqen nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
Marrim marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë. Gjatë një vizite në Beograd në vitin 2014, presidenti rus Vladimir Putin, shkoi aq larg sa të deklaronte se “Rusia, ashtu siç ka qenë në të kaluarën, do ta shohë gjithmonë Serbinë si aleaten tonë më të ngushtë”.
Përveç lidhjeve të vjetra kulturore me Rusinë, Serbia varet nga furnizimet ruse e energjia, si dhe fuqia e vetos së Rusisë, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Për sa kohë që Beogradi ka mbështetjen e fortë të Moskës, ai mund ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Këta faktorë shpjegojnë faktin pse Serbia nuk iu bashkua BE-së në imponimin e sanksioneve kundër Rusisë, pas aneksimit të Krimesë në marsin e vitit 2014.
Edhe Bosnja dhe Maqedonia, zgjodhën gjithashtu të mos bëhen pjesë e sanksioneve të Brukselit, ndërsa anëtaret e NATO-s Shqipëria dhe Mali i Zi e adaptuan qasjen e Perëndimit.
Megjithatë, vendet e Ballkanit nuk janë thjesht grimca pasive, që tërhiqen drejt poleve magnetike përreth tyre.
Për shembull, Serbia gjen ende frymëzim tek trashëgimia e Marshallit Tito, i cili ka qenë president i Jugosllavisë për pjesën më të madhe të Luftës së Ftohtë.
Larg nga të qenit një aleati më i ngushtë i Bashkimit Sovjetik, Tito qe themelues i Lëvizjes së të Paangazhuarve, dhe shkëlqeu në lojën që kundërvuri përballë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik.
Në mënyrë të ngjashme, Serbia përcaktohet sot zyrtarisht si një shtet neutral. Por ajo bashkëpunon ngushtë me NATO-n përmes Partneritetit për Paqe, ndërsa në të njëjtën kohë kryen stërvitje të përbashkëta ushtarake me ushtrinë ruse.
Po ashtu, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç, pretendon të jetë në favor të integrimit evropian, ai s’ka shfaqur asnjë vullnet për ta distancuar veten nga Rusia.
Natyrisht, përveç Rusisë, edhe Kina e kundërshton njohjen e pavarësisë së Kosovës. Përmes nismës së “Brezit dhe Rrugës”,
Pekini ka treguar muskujt e tij ekonomikë, duke investuar miliona dollarë në projekte infrastrukturore në Serbi dhe pjesë të tjera të rajonit.
Njëra nga nismat, ka të bëjë me ndërtimin e një linje hekurudhore të shpejtësisë së lartë midis Beogradit dhe Budapestit, që synon të lidhë portin grek të Pireut me Evropën Qendrore. Komisioni Evropian po heton aktualisht mbi këtë projekt, për shkelje të mundshme të rregullave të BE-së mbi tenderimet.
Hetimi lë të kuptohet një prirje themelore: edhe pse Kina nuk ka ambiciet shkatërruese të Rusisë ndaj Evropës, veprimet e saj mund të bëjnë që vendet e Ballkanit Perëndimor, të vënë në dyshim nxitjen e tyre për të konverguar me modelin institucional dhe me rregullat shoqëruese të BE-së.
Përkundër këtyre sfidave, BE-ja ruan një qasje të favorshme përkundrejt Ballkanit Perëndimor.
Duke përjashtuar Kroacinë, 74 për qind e tregtisë totale së vendeve të Ballkanit Perëndimor kryhet me BE-në, krahasuar me vetëm 6 për qind me Kinën, 5 për qind me Rusinë dhe 4 për qind me Turqinë.
Në këtë kontekst, Brukseli nuk duhet të lejojë që sfidat aktuale, të dobësojnë strategjinë e tij të përgjithshme të zgjerimit.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor muajin e kaluar, ishte një hap pozitiv, duke garantuar që vendet ende të etura për t’iu bashkuar unionit, të mos e lënë në harresë nevojën për të ndërmarrë reforma të thella.
BE-ja s’duhet të heqë dorë nga pritshmëritë që do të kishte pasur padyshim Tesla. Të gjithë evropianëve, duhet t’u jepet mundësia të marrin pjesë në projektin evropian dhe të përfitojnë nga potenciali transformues i tij.
Kjo është pikërisht ajo, që dëshiron ende një segment i madh i popullsisë ballkanike. Udhëheqësit e BE-së, nuk mund të garantojnë që procesi i anëtarësimit në bllok do të jetë i shpejtë dhe i lehtë. Por ata vetëm mund të sigurojnë që një rrugëtim i tillë ia vlen.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce
Shënim: Javier Solana, ka qenë Përfaqësuesi i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, dhe Ministër i Jashtëm i Spanjës. Ai është aktualisht kryetar i Qendrës ESADE, për Ekonominë Globale dhe Gjeopolitikën.