NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ
Ndërsa bota mbetet e shtangur me sytë nga llogoret e pragpushtimit nga Rusia të Ukrainës, komuniteti i sigurisë/kolegë në Uashington, Bruksel, Moskë, Stamboll, Zagreb, Lubjanë, sigurisht në Tiranë, Prishtinë, Podgoricë, Sarajevë, Shkup Beograd, japin alarmin mbi “rrezikun e një Lufte të Re Ballkanike”.
Në përmbledhje adresohen disa pikëpyetje kritike, që mbeten ende pa përgjigje, të tilla si: Përse armatoset deri në dhëmbë, nga kush rrezikohet dhe kë kërcënon ushtarakisht Serbia?!
Kush qëndron mbas përpjekjeve për të formuar ushtrinë e Serpska, çka jo vetëm do fuste në kolaps institucionet e Bosnje Hercegovinës, por do rrezikonte të riciklonte një konflikt të ri të armatosur në rajon? A po përpiqet Moska të përdorë Beogradin, z. Dodic, etj., “mendje të ndryshkura”, të shmangë vëmendjen strategjike nga Ukraina, për qëllime gjeopolitike në rajon dhe dalje në Adriatik/Mesdhe?
Me BE-në “pa timon” si dhe me SHBA-të e fokusuara në Ukrainë, a do t’i leverdiste Kremlinit një front i ri lufte, pra, opsioni i përplasjes ushtarake në rajon? Kësaj situate, Beogradi dhe Moska zyrtare i përgjigjen me 1 zë: “Fitili i luftës ballkanike janë ultranacionalistët shqiptarë dhe precedenti i Kosovës”? Por, në këtë “aromë baruti”, u realizua vizita e ndihmëssekretarit të Shtetit, z.Escobar (8-10 nëntor), fillimisht në Bosnjë-Hercegovinë më tej në Mal të Zi, ku konfirmoi: “Vendosmërinë e SHBA-ve për mbrojtjen e marrëveshjes së Dejtonit, parandaluar kolapsin e institucioneve në B&H dhe për të mos lejuar një luftë të re në rajon”.
Ndërsa pas një muaji në MV dhe Shqipëri mori garanci nga autoritetet vendase për “Përmbushjen e detyrimeve në NATO dhe të BE-së”! Siç u përshëndet me “garë fotografike”, Mbretëria e Bashkuar ka ngarkuar të dërguar të posaçëm për Ballkanin, një ndër strategjistët elitarë, Gjeneralin ®, Sir, Stuart Peach ish-SHSHP, Kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, çka fatmirësisht demonstron vëmendjen dhe interesat konstante të UK për rajonin.
Shkrimtari M. Glenny, pasi hetoi rrënjët e gjakderdhjes, zbulon një mesazh shprese: “Vendet e rajonit i mendojmë si armiq të paepur, gjatë shekujve kanë krijuar aleanca të pamundura”! Vendet e Ballkanit kanë dhe do të jetojnë për shumë shekuj të tjerë fqinjë që ndajnë kufij, histori të përgjakshme, por edhe vlera të përbashkëta! Kështu, përtej tunelit të errësirës së urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore, besoj se DRITA e PAQES, bashkëjetesa demokratike dhe axhenda e integrimit euro-atlantik do na ndriçojnë edhe ne ballkanasve për të punuar çdo ditë në interes të mirëqenies së qytetareve, të shoqërisë dhe vendeve tona 10 këshilla strategjike për autoritetet shtetërore dhe faktorët politikë në Tiranë dhe Prishtinë:
Së pari, me statusin e eksperiencës në peshimin e rreziqeve dhe oportuniteteve të sigurisë kombëtare, rajonale dhe NATO-s, do të këshilloja faktorët institucionalë të Tiranës dhe Prishtinës që të angazhohen si 2 shtete sovrane, por një komb i vetëm në përpjekjet për paqen, sovranitetin territorial dhe integrimin euroatlantik të 2 vendeve.
Së dyti, ndërsa aktorët me peshë politike të dy vendeve, do t’ju sugjeroja që për interesa jetike kombëtare (p.sh. kufijtë shtetërorë = interes jetik Nr. 1), të: “shmangin ethet për pushtet, fasadat populisto-elektorale, axhendat e ekstremistëve, privatizimin politik dhe inatet primitive”.
Së treti, kryeministrave aktualë, Z.Rama dhe Z. Kurti, e njëjtë për ata/ato që do t’i pasojnë do t’i këshilloja: “Të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore duke jetësuar platformën “Dy shtete, një komb” dhe konceptin “Smart/mençur” mbi sovranitetin, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarëkombëtare. Në rajon, USA, BE dhe NATO, do duhet konfirmuar se kjo “përqasje e vonuar” nuk kërcënon askënd, përkundrazi do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjate të rajonit.
Së katërti, për marrëveshjen e “Ballkanit të Hapur, Procesi i Berlinit, Tregu i Përbashkët Rajonal, CEFTA apo me çdo emërtim tjetër”, të fokusuara në interesat ekonomike (lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave, tregjeve, investimeve etj.) ta parakushtëzojnë me një paketë me 10 Masa të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), nëpërmjet të cilave 6 vendet të angazhohen se:
- Nuk kanë qëllime zyrtare, nuk planifikojnë dhe nuk zhvillojnë kapacitete ushtarake që kërcënojnë vendet ndërkufitare; që respektojnë Marrëveshjen e Dejtonit, angazhimet e UN, NATO-s & BE në Rajon.
- Do të zbatojnë standardin e NATOs për shpenzimet e mbrojtjes (deri 2% të GDP-së) si dhe do të ndërpresin programet e armatimit (Mig-29, Raketa S-400 etj.) që kërcënojnë balancat e fuqisë ushtarake (në ajër, tokë dhe det) jo vetëm midis vendeve të rajonit.
- Nuk do të vendosin instalime dhe as do të zhvillojnë aktivitete ushtarake, në përkatësisht 25 km distancë ajrore dhe 10 tokësore, në kufijtë shtetërorë të vendeve nënshkruese (të ngjashme me Marrëveshjen Ushtarake të Kumanovës, mes NATO-s (palë fituese) dhe Serbisë (palë humbëse), që i parapriu ndërhyrjes tokësore të 38.000 trupave nga 36 shtete në Kosovë!
- Nuk do të lejojnë që territoret e tyre (ajrore, tokësore & detare) të shërbejnë si rrugëkalime të armatimeve të vendeve potencialisht kundërshtare të NATO-s (Rusia & Kina), por do të shkëmbejnë informacione mes agjencive të inteligjencës në lidhje me trafiqet e armëve, ADM, krimin e organizuar, grupet radikale, terroriste etj.
- Ngritjen e strukturave, kapaciteteve dhe një Memorandum Bashkëpunimi (MoU) për reagime të përbashkëta në rastet e emergjencave civile, epidemive mjekësore etj.
- Marrëveshja t’i nënshtrohet një diskutimi gjithëpërfshirës me qytetarët dhe grupet e interesit, si miratimi i saj do të realizohet me konsensus të gjerë mes partive politike.
- Ngritjen e një Bordi Ekspertësh, për të draftuar marrëveshjen si dhe matricën e zbatimit me përgjegjësitë e vendeve nënshkruese. Mbas miratimit, ngritjen e një “Regional Steering Committee” për të monitoruar dhe informuar në kohë reale mbi përmbushjen e detyrimeve nga institucionet respektive sipas matricës që do ta shoqërojë marrëveshjen finale.
- Vendet anëtare të Rajonit të EJ-L (Kroacia, Sllovenia, Mal i Zi, Shqipëria, MV, Bullgaria, Rumania), t’i paraqesin peshimin e rreziqeve si dhe ti kërkojnë zyrtarisht NATO-s përgatitjen e planeve operacionale (Contingency Plans) me skenarët e reagimit të përbashkët, nëse kërcënohet cilido nga vendet ose statuskuoja gjeopolitike në rajon.
- Cilado qoftë marrëveshja, përfshi edhe këtë paketë parakushtesh të mirëbesimit reciprok, mbetet e hapur për të ftuar Kroacinë, Slloveninë, Bullgarinë, Rumaninë si dhe para miratimit do të duhet domosdoshmërisht të konsultohet me USA dhe NATO-n, të cilat mbeten faktorë kritikë për paqen, axhendën e integrimit euroatlantik, që kanë përgjegjësi dhe interesa gjeopolitike në Rajon dhe Mesdhe.
- Marrëveshja, përfshi këtë paketë me 10 parakushte, do të miratohet nga parlamentet e 6 vendeve (Shqipëria, Bosnja, Mal i Zi, MV, Kosova, Serbia), por mbështetur në parimin e vetëvendosjes, mund të nënshkruhet edhe vetëm mes vendeve që bien dakord me këto 10 parakushte. Në përmbledhje, paqja mbetet opsioni dhe misioni i vetëm për rajonin. Thënë këtë, besoj se kjo paketë me 10 MMR (Masa të Mirëbesimit Reciprok), do të shërbejë si një platformë besimi shtesë për bashkëjetesën paqësore, bashkëpunimin dhe mirëqenien ekonomike, forcimin e demokracisë funksionale dhe axhendën e integrimit euroatlantik të vendeve dhe popujve të rajonit.
Së fundmi, si edhe në 36 vjet nën uniformë, rikonfirmoj edhe më fort se mbetem “më i përkushtuar, më i përulur dhe më i përgjegjshëm për të kontribuar për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarëkombëtare”.
*Ekspert për SK, Rajonin & NATO, Zv/President i Këshillit të Atlantikut & Ish-Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSH; Zv/SHSHPFA & Përfaqësues i RSH në NATO.