Hoxhë Hasan Tahsini ka qenë në fokus të Akademisë së Studimeve për Çamërinë. Simpoziumi shkencor i Akademisë së Studimeve për Çamërinë është mbajtur në mjediset e jashtme të shtëpisë muze, të një prej figurave kyçe të Rilindjes Kombëtare, Hoxhë Hasan Tahsinit. Kryetari i Akademisë, Tahir Muhedini, është shprehur se përmes ngritjes së Akademisë dhe punës që do të vijë pas saj, do të mund të zgjidhet çështja çame.
Sakaq, Shkëlqim Hajdari, i cili është mbështetës i çështjes çame, deklaroi në këtë takim se Akademia e Studimeve për Çamërinë, do të perdorë figurën e Hoxhë Tahsinit në mënyrë më pozitive, që çështja çame të zgjidhet në mënyrë të ndershme dhe të drejtë. Po kështu ai ka zbuluar se shtëpia muze do shpërbejë si një bibliotekë ku e gjithë vepra e Hasan Tahsinit dhe e patriotëve të tjerë, do të jetë e hapur për publikun.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë se Konispolit, Shuaip Beqiri foli për investimin në restaurimin e shtëpisë muze të Hasan Tahsinit.
Hoxha Tahsinin shumë prej nesh e njohin vetëm se është emër rruge në Tiranë, por kush është realisht Hoxha Hasan Tahsini dhe cila është veprimtaria e tij me bazë kombëtare dhe jo vetëm? Hasan Tahsini ishte rilindës, filozof, matematikan, psikolog shqiptar.
Dijetar i shkallës botërore dhe atdhetar pararojë i Rilindjes Kombëtare. Ai ka qenë rektori i parë i Universitetit të Stambollit dhe njëri nga themeluesit e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare. Tahsini mbahet si njëri nga mendimtarët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane në shekullin e 19.
Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit të XIX, kurse në historinë e shkencës turke, si më i larti ndër të lartët dhe, në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, si rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e ato natyrore.
Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte atë të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera, për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini qe mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit e Daniel Oparakut.