Të shtunën, presidenti Meta deklaroi se nuk do të lejojë që vendi të mbetet pa opozitë. Në këtë formë, Kreu i Shtetit, Ilir Meta paralajmëroi se do të tentojë të marrë opozitën pas largimit nga Presidenca. Sipas tij, shqiptarët nuk do ta lejojnë skenarin e një Shqipërie pa opozitë. Në këtë mënyrë ai konfirmoi aleancën me Berishën për të larguar Bashën. “Jam i bindur që nuk ka përpjekje në botë që të realizojë atë skenar të zi për të lënë Shqipërinë pa opozitë. Jam i sigurt që shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të kthehen në modele që i takojnë jo vetëm një kontinenti tjetër, por përkundrazi, shqiptarët kanë potencial për të ecur para dhe këtë e realizon demokracia e vërtetë”, tha Meta.
Presidenti Ilir Meta dha sinjalet se po synon të marrë frenat e opozitës. Teksa është pyetur mbi “Foltoren” e ish-kryeministrit Sali Berisha, ai zgjodhi të mos komentojë. “Nuk dëshiroj të komentoj zhvillimet e brendshme në asnjë forcë politike. Duhet t’i zhvillojnë debatet e brendshme në mënyrë demokratike. Demokracia nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë, këtë e kemi mësuar në këto 3 dekada, ajo ka ulje ngritjet e saj. Shpresojmë të gjithë t’i përmbahen parimeve më bazike të shtetit të së drejtës”, tha ai.
Sa u përket akuzave të Berishës për një bashkëpunim Rama-Basha, presidenti preferoi të mos përfshihej, teksa tha se kjo çështje të gjykohet pas 24 korrikut. “Nuk dëshiroj të bëhem pjesë e këtyre debateve. Ato do të kemi kohë t’i gjykojmë pas 24 korrikut, vazhdimisht. Janë çështje të tyre, mjaftojnë të respektojnë Kushtetutën”, tha ai.
Ish-kryeministri Berisha njoftoi nisjen e një turi në bazë, të cilën e pagëzoi me emrin “Foltorja”, pasi kryedemokrati Lulzim Basha e përjashtoi në 9 shtator nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Kjo e fundit nisi rrugëtimin e saj në 16 shtator në Tiranë, ndërsa po lëviz nga qyteti në qytet.