Në të gjitha vendet e botës, njerëzve u thuhet ose inkurajohen që të mbajnë maska kur dalin jashtë shtëpisë. Në disa vende, ata urdhërohen që të qëndrojnë brenda në shtëpi, duke u lejuar të dalin vetëm për gjëra thelbësore, përfshirë ushtrimet fizike.
Këto udhëzime krijojnë një dilemë: A duhet që njerëzit të mbajnë maska kur janë duke vrapuar, apo kur janë duke u marrë me një aktivitet fizik intensiv? A nuk do ta bënte mbajtja e një maske mbi gojë dhe hundë, më të vështirë frymëmarrjen, në një kohë kur tashmë jeni duke u përpjekur më shumë se zakonisht për të futur ajër në mushkëri?
Që nga ditët e para të pandemisë së koronavirusit, shkencëtarët dhe autoritetet shëndetësore kanë pasur shqetësime serioze në lidhje me këtë çështje. Këshillat zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thonë se njerëzit “nuk duhet të mbajë maska gjatë ushtrimeve fizike, pasi maska mund të zvogëlojë aftësinë për të marrë frymë i qetë”.
Por gjërat mund të mos jetë kaq të thjeshta. Një studim i ri mbi efektin e maskës mbi sistemin kardio-pulmonar – zemra, enët e gjakut dhe mushkëritë – gjatë aktivitetit fizik sugjeron se shumica e njerëzve duhet të jenë në gjendje që të marrin frymë si duhet edhe duke pasur një maskë në fytyrë, edhe pse mund të mos ndihen gjithmonë komod.
“Mund të duket se kërkohet një përpjekje më e madhe për të marrë frymë normalisht, por efektet e mbajtjes së një maske në frymëmarrje, apo tek nivelet e gazrave si oksigjeni dhe dyoksidi i karbonit në gjak ose i parametrave të tjerë fiziologjikë, janë të vogla, madje shpesh shumë të vogla për t‘u gjurmuar”- thotë ekspertja Suzan Hopkins nga Universiteti i Kalifornisë në San Diego.
Në studimin e ri, Hopkins dhe kolegët e saj rishikuan literaturën ekzistuese shkencore, duke analizuar efektet e mbulesave të ndryshme të fytyrës në reagimin kardio-pulmonar gjatë aktivitetit fizik, duke marrë parasysh dhjetëra studime të ndryshme, dhe duke përfshirë lloje të ndryshme maskash – përfshirë mbulesat prej pëlhure, maska kirurgjikale, N95 dhe maskat që përdoren në industri të ndryshme.
Studiuesit e pranojnë se studimet në këtë fushë janë në zhvillim e sipër, dhe se janë të nevojshme studime shtesë. Gjithsesi, ata thonë se provat aktuale sugjerojnë që maskat që mbahen nga njerëz të shëndetshëm gjatë ushtrimeve fizike, nuk duket se ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në funksionin e mushkërive dhe marrjen e oksigjenit.
Me gjithë rezistencën minimale që ato krijojnë ndaj fluksit të ajrit, mbajtja e një maske apo aparati respirator gjatë aktivitetit fizik nuk ka gjasa të shkaktojë dëme. Sidoqoftë, dispnea (ndjenja e marrjes së frymës) dhe format e tjera të shqetësimit mund të shtohen kur njerëzit ushtrohen fizikisht dhe mbajnë maska, sidomos nëse nuk janë mësuar të mbajnë maska.
“Mbajtja e një maske në fytyrë mund të jetë një ndjesi e pakëndshme. Mund të ketë rritje të vogla të rezistencës në frymëmarrje. Ju mund të thithni ajër pak më të ngrohtë, më të pasur me CO2. Dhe nëse jeni duke u ushtruar fizikisht, maska mund të shkaktojë nxehjen dhe djersitjen e fytyrës. Por këto janë perceptime shqisore. Ato nuk ndikojnë në funksionin kardiopulmonar tek njerëzit e shëndetshëm”, thotë Hopkins.
Studiuesit thonë se i njëjti rezultat duket se vlen për të rinjtë dhe të moshuarit, pavarësisht nga gjinia. Por ata theksojnë se pacientët me sëmundje të rënda kardiopulmonare, mund të bëjnë përjashtim, për shkak të rritjes së shanseve të tyre për të përjetuar dispnea gjatë ushtrimeve fizike.
Për ne të tjerët, zbulimet – të cilat mbështeten në mënyrë të pavarur edhe nga një eksperiment i fundit i kryer nga studiuesit kanadezë – nënkuptojnë se nuk duhet të shqetësohemi shumë për mbajtjen e maskave gjatë vrapimit në natyrë apo ushtrimeve në palestër.
Burimi i lajmit: https://www.sciencealert.com/most-people-should-breathe-just-fine-while-exercising-with-a-mask-on-scientists-say
Përshtatur nga TIRANA TODAY