Presidenti i Republikës, Ilir Meta vijon akuzat në distancë ndaj kryeministrit, Edi Rama.
Meta ka publikuar një video në rrjetin social, Facebook ku thoshte se si president zgjidhte demokracinë e jo pushtetin.
Kreu i shtetit u kujtoi socialistëve që e votuan si president, se në këtë funksion, ka mbajtur çdo premtim për mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesit kombëtar.
Ndaj, presidenti i lëshoi një ultimatim kryeministrit Rama duke i kërkuar që të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit, ndryshe më 25 prill do ketë jo vetëm një president të shkalluar por 3 milionë shqiptarë që do shkallmojnë me votë qeverinë.
Postimi i Presidentit Meta në Facebook
Meqënëse Kryepinoku Rilindas u justifikua për zgjedhjen e detyruar para tre vitesh të “Presidentit të shkalluar”, më duhet t’ju kujtoj të gjithë socialistëve se Ilir Meta ka mbajtur çdo premtim për mbrojtjen e Kushtetutës dhe interesit kombëtar.
Unë u kam bërë të qartë se midis Pushtetit dhe Demokracisë, kam zgjedhur gjithmonë Demokracinë se pushtet ka edhe në vendet jodemokratike, ku të drejtat e qytetarëve shtypen e dhunohen. Tani ju e kuptoni se çdo njeri që nuk blihet e frikësohet prej tij është “i shkalluar”.
Bën mirë të reflektojë dhe të respektojë 5 Qershorin se përndryshe në 25 Prill do të ketë jo vetëm një President “të shkalluar”, por edhe tre milionë shqiptarë “të shkalluar” që do shkallmojnë me votë dhe çdo mjet legjitim ëndrrat e tij për të blerë e trembur popullin shqiptar për një grusht oligarkësh e banditësh.
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/353764035827725/