Tri javë pas vrasjes se Bujar Çelës në Bradashesh, policia dhe prokuroria e Elbasanit kanë avancuar në lidhje me hetimet.
Një person është shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen, teksa dyshohet se ai është ekzekutori.
Mësohet se identifikimi i tij është bërë me prova shkencore.
Ndërkohë, porositësi dyshohet se është shtetasi Erion Alibej, i arrestuar më 18 shtator të këtij viti, pasi akuzohet si porositësi i dy vrasjeve të ndodhura më datë 20 korrik në qytetin e Elbasanit, në lagjen “28 Nëntori”, ku u vra me armë zjarri Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj.
Aktualisht, ndaj Alibejt është dhënë masa e sigurisë arrest me burg, për dy vrasjet e mëparshme, dhe pritet t’i shtohet dhe akuza për Bujar Çelën, edhe pse kjo mbetet e pakonfirmuar zyrtarisht nga ana e prokurorisë.
61-vjeçari Bujar Çela dyshohet se u vra për shkak të konflikteve të vëllait të tij Talo Çela.
Talo akuzohet për disa ngjarje kriminale të ndodhura në Elbasan, vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, si dhe grabitjen e miliona eurove nga Rinasi, ku mbeti i vrarë Admir Murataj.