Në një bashkëbisedim me gazetarët, i kthyer në traditë tashmë në rutinën e punës së kreut të shtetit, ngriti alarmin për borxhet të cilat mund të penalizojnë shtetin shqiptar. Ai ka kërkuar që të ndalohet menjëherë rënia e ekonomisë në humnerë. Presidenti Meta tha se Shqipëria po humb shumë para në gjykatat ndërkombëtare, për vendimet e njëanshme.
“Kur ekonomia nuk po e rimerr veten nga dy tragjedi, një barrë të rendë po shkakton papërgjegjshmëria e institucioneve për ruajtjen e interesave të shtetit shqiptar.
Dita-ditës po rritet borxhi publik. Është rritur numri i çështjeve të humbura të shtetit shqiptar në gjykatat e huaja, i kam dërguar avokaturës së shtetit numrin e çështjeve në proces në Gjykatën e Arbitrazhit ku është përfshirë Shqipëria, shërbimet e përfaqësimit, shpenzimet dhe të dhënat për ato, numrin e çështjeve të fituara në Gjykatat e Arbitrazhit, numrin e çështjeve të humbura. Sa ka kushtuar, shpenzimet administrative për koston e procesit, të dhëna mbi faktin nëse deri sot për çështjet e humbura a ka referuar avokatura e shtetit për nxjerrjen e përgjegjësive për dënim e shkaktuar ndaj shtetit shqiptar.
Shqipëria ka një detyrim mbi 99 mln euro, ndërsa kostoja ka vlerë për mbi 300 mijë euro. Nga sa është bërë publike, vendimi i arbitrazhit e evidenton qartë vendimet arbitrare të Shqipërisë. Deklaratat e Ramës kanë pasur rol thelbësor në vendimin e gjykatës në dëm të Shqipërisë. I dhashë mundësi të dytë avokaturës, edhe pse ishte me shumë vonesë, deri tani sërish heshtje e plotë. Kjo nuk tregon papërgjegjshmëri, por përpjekje e hapur për të fshehur informacionin”, tha Meta.