Në prani të Edi Ramës, Taulant Balla deklaroi se mazhoranca mbështet edhe hapjen e listave, kërkesë kjo e opozitës parlamentare. Në një konferencë të jashtëzakonshme, kryeministri Rama njoftoi sot se PS është pro hapjes së listave për zgjedhjet e ardhshme elektorale. Ndërkohë kreu i qeverisë theksoi se marrëveshja e 5 qershorit nuk është prekur nga PS.
“Kemi vendosur të mbështesim një hapje të listave, që çdo zgjedhës të zgjedhë subjektin dhe të shpresë preferencën e tij për deputetin apo deputeten e përfshirë.
Vendimi reflekton bindjen se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë, që shkon shumë përtej një shumice apo pakice qeverisëse dhe përtej asaj që do të ishte zgjidhja më e thjeshtë dhe më komode për një parti të madhe dhe por edhe për mua si kryetari i partisë. Që në këtë rast duhet t’u jap të gjithëve jo me fjalë por me faktin e hapjes së listave mesazhin se asnjëherë nuk ka qenë për mua prioriteti komoditeti im, por që PS-ja të reflektojë.
E di që ka një përpjekje që kjo gjë të tregohet sikur është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por marrëveshjen e 5 qershorit ne e kemi realizuar me vullnetin më të mirë duke shkelur edhe mbi veten.
Sepse ambicia jonë ka qenë e shprehur vazhdimisht, depolitizimi i administratës zgjedhore. Kemi bërë një marrëveshje me opozitën parlamentare, kemi arritur të krijojmë edhe mirëkuptimin për konsensus të gjerë në parlament për ligje të rëndësishme që kërkonin shumicë të cilësuar. Kam thënë qartë se jemi akuzuar si pazarxhi. Aritmetika nuk na ka përkrahur në këtë proces, është çështje parimore”, u shpreh Rama.