Si pasojë e shtimit të rasteve me COVID, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë vendimin për mbylljen e pishinave në të gjithë territorin e vendit. Pishinat u lejuan të hapeshin në momentin kur u bë dhe dalja nga izolimi, ndonëse konsideroheshin si aktivitete me risk të lartë infektimi.
Rritja e personave të infektuar këto javët e fundit, e ka shtyrë Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmarrë një veprim të tillë ditën e sotme. Urdhri në fjalë është i obligueshëm për të gjitha pishinat në të gjithë territorin e vendit, deri në një njoftim të dytë nga ana e ministrisë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë infektuar me koronavirus 90 persona. Një 81 vjeçar nga Shkodra dhe një 63 vjeçar nga Elbasani, të shtruar prej disa ditësh në Spitalin Infektiv në gjendje të rënduar, nuk kanë mundur të mbijetojnë, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Situata në Spitalin Infektiv paraqitet serioze, me pacientë që trajtohen në terapi intensive por edhe pacientë të intubuar, një pjesë e tyre mosha të reja.