Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë – AmCham.
Përmes një postimi në Facebook, Basha tregon se në qendër të diskutimit ishte kriza ekonomike dhe domosdoshmëria për të përmirësuar klimën e biznesit.
Basha sqaron se në takim është diskutuar edhe për pasojat që koronavirusi ka sjellë në ekonominë e vendit.
Kreu i opozitës shprehet se PD mbështet propozimet që Dhoma Amerikane të Tregtisë i ka drejtuar qeverisë për rivitalizimin e ekonomisë post-koronavirusit.
Postimi i plotë:
Sot pata kënaqësinë të pres përfaqësuesit e Dhomës Amerikane të Tregtisë – AmCham, z. Enio Jaco President i Bordit, Z. Alex MacFarlane Atasheu i Seksionit për Çështjet Politike & Ekonomike në Ambasadën e SHBA-së, Z. Reshard Këlliçi Sekretar i Bordit dhe znj. Eni Xheko Anëtare e Bordit. Në qendër të diskutimit ishte kriza ekonomike dhe në veçanti domosdoshmëria për të përmirësuar klimën e biznesit, dhe tërheqjen e investimeve të huaja të cilat lidhen direkt me punësimin.
Lufta kundër monopoleve dhe trajtimit të pandershëm të investitorëve në Shqipëri, lufta kundër korrupsionit dhe klientelizmit, sundimi i ligjit dhe siguria juridike, janë disa nga sfidat jetike para të cilave ndodhet vendi dhe ekonomia.
Në takim diskutuam edhe mbi pasojat e Covid-19 në ekonominë shqiptare. Aksesi në likuiditet, lehtësimi i barrës fiskale për bizneset dhe mbështetja ndaj tyre për të ruajtur vendet e punës, janë ndër kërkesat e kahershme të AmCham dhe çështje prioritare të platformës tonë. Partia Demokratike mbështet propozimet e bëra publike të Dhomës Amerikane të Tregtisë – AmCham drejtuar qeverisë shqiptare, duke i konsideruar ato të drejta dhe të duhura për t’i dhënë përgjigje sfidës së përballimit të pandemisë ekonomike dhe rivitalizimin e ekonomisë në të ardhmen.