U përfol se “Portokalli”-a do zhvendosej në një ekran tjetër, por mesa duket të gjitha kanë qenë në kuadrin e thashethemeve. Spektakli i humorit, aq shumë i dashur për shqiptarët, do të vijojë në “Top Channel”, aty ku dhe është krijuar si produkt.
Këtë e ka konfirmuar regjisori Altin Basha, i cili tha se ofertat kanë qenë të shumta, por asgjë nuk do të ndryshojë. Të gjitha aludimet kanë nisur pas një interviste që ka dhënë Altin Basha në “Abc News”, dhe ku është parë në parkingun e këtij televizioni. Në një intervistë për “Panorama.al”, ai zbuloi ndër të tjera se aktualisht janë katër televizione që janë të interesuara për “Portokalli”-në.
A ka patur negociata me televizione të tjera, për të larguar emisionin “Portokalli” nga” Top Channel”?
Jo, fare! Unë jam marrë me Teatrin këto ditë dhe kam dal në disa media. Për çështjen e Teatrit më thërrasin për intervista dhe për prononcime. Më kanë parë që kam parkuar makinën në “Abc News”, jam futur dhe kam takuar drejtorin e informacionit.
Në mediat online është publikuar dhe një emër i ri i “Portokalli”-së, prsh “Mandarinat”?
Problemi i disa njerëzve është që punojnë diku tjetër dhe mendjen e kanë te “Portokalli”-a. E vërteta është se kam shkuar në “Abc News” për të bërë një intervistë për Teatrin. Mesa duket, këtë, dikush e ka parë dhe e ka keqkuptuar si negociatë me “Abc News”, për shkak të thashethemeve që janë përhapur.
Çdo gjë do vazhdojë siç është, pra “Portokallia” do vazhdojë në “Top-Channel”?
Po, patjetër, “Portokalli”-a vazhdon. Ne jemi në punë, jemi në skenë, po bëjmë shfaqje.
A keni patur oferta nga televizionet e tjera për të spostuar emisionin “Portokalli”?
Oferta ka gjithmonë. Unë çdo vit kam oferta nga televizionet. Dhe për shkak se jam regjisori i trupës, më kërkohet kjo gjë. Aktorëve u kërkohet. Thjesht për shkakun që jemi fiksuar me “Top-Channel”, s’kemi patur interes për ofertat e tjera. Vetëm tani kanë qenë 4 televizione të interesuara për emisionin tonë. Kjo nuk do të thotë asgjë, është një proces normal.
Nuk ka për ne ndonjë çudi, jemi 20 veta, njëherë kontaktohet njëri, njëherë tjetër një aktor tjetër. Madje ne tallemi shpesh herë me këtë gjë. Kjo është e vërteta.
Për çështjen e Teatrit Kombëtar, tani që u shemb dhe një pjesë e aktorëve vazhdon protestat, cili është qëndrimi juaj?
E vërteta është se u desh të zgjidhej mes një ndërtese e cila nuk i shërbente më as kohës dhe as të ardhmes, apo një ndërtese që projektohet për Teatër, plotësisht për të ardhmen për Teatër. Ka qenë një ndërtesë që nuk ka qenë Teatër Kombëtar, e cila u përpoq në vite për t’u bërë e tillë, pra ta rikonstruktonim atë dhe ta mbanim difektoze siç ishte apo të bënim diçka për të ardhmen. Nuk është vendim i lehtë, por asgjë nuk vjen pa sakrificë.
Protestat e kolegëve tuaj të cilat vazhdojnë tubimet edhe pas shembjes së godinës, si i komentoni?
Është një protestë e nisur me bindjen se ndërtesa e Teatrit Kombëtar, mund të rikonstruktohej, tani që përfundoi, të gjithë specialistë ranë dakord që rikonstruksioni mund të bëhej nëse ajo do shembej plotësisht dhe do rindërtohej në atë formë që kishte. Por edhe nëse rindërtohet siç ishte, ajo përsëri nuk është Teatër Kombëtar, por një ndërtesë kino-teatër, pa fasilitet dhe funksionalitetin e një Teatri.
Kështu që çfarë do vendosësh? Të ndërtosh sërish këtë që ishte edhe pse është e mangut, apo do projektosh diçka nga fillimi me perspektivën e zhvillimit të të ardhmes me teknologjinë e të mirë të mundshme.