Pas dy ditësh pritet të rinisë procesi i reformës zgjedhore. Komisioni i posaçëm parlamentar pritet të mblidhet. Dy bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari do të informojnë anëtarët e tjerë mbi ecurinë e reformës zgjedhore që nga krijimi i këshillit politik me përbërjen e opozitës jashtëparlamentare dhe deri në fillim të muajt mars, kohë në të cilën punimet e këshillit u ndërprenë për shkak të pandemisë.
Damian Gjiknuri ka apeluar ndaj Partisë Demokratike, që ti rikthehet tryezës së dialogut për reformën zgjedhore, aty ku e kishin lënë për shkak të COVID-19. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, ai ftoi PD të shfrytëzonin muajin maj për të intensifikuar dialogun.
“Nëse PD do ta rimarrë iniciativën, të ulet në dialog, do t’i kujtoj të gjithë se reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme për zgjedhje të lira e të ndershme. Mazhoranca i ka votat për ta miratuar e vetme këtë reformë, ndaj opozita nuk mund ta mbajë pafundësisht peng këtë proces shumë të rëndësishëm për integrimin e vendit në BE. Në qershor do të çojmë në Kuvend kodin e ri”, tha Gjiknuri.
Po kështu, sot Gjiknuri zhvilloi një video-bisedë me Ambasadoren e Shteteve të Bashkura të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim. Zhvillimin e video-bisedës e njoftoi vetë përfaqësuesi i PS-së në tryezën e reformës zgjedhore, përmes një postimi në Facebook.
Ai u shpreh se e kishte informuar ambasadoren Kim për ecurinë e reformës, dhe i kishte kërkuar mbështetje për të nxitur rinisjen e dialogut.
Statusi
Pata kënaqësinë të bashkëbisedoj sot me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë Yuri Kim. E informova për ecurinë e deritanishme të procesit të reformës zgjedhore dhe kërkova mbështetjen e SHBA për të nxitur dhe shtyrë përpara rifillimin e tryezës së dialogut politik, dakordësimin e çështjeve të mbetura pezull dhe përmbylljen e reformës brenda Qershorit. Miratimi i ligjit të ri elektoral na hap rrugën më pas për arritjen e konsensusit edhe për reformimin e financimit të partive politike, parakusht për shëndoshjen e sistemit demokratik #ReformaZgjedhore