Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka prezantuar sot planin e rindërtimit të Bashkisë së Krujës, e cila është ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Plani u prezantua gjatë një mbledhjeje online ku mori pjesë edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, kryeministri Edi Rama, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli dhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi.
Sipas Margaritit, programi i Rindërtimit në Krujë synon jo vetëm akomodimin në banesa të reja për të gjithë të dëmtuarit nga tërmeti, por edhe infrastrukturë të re dhe shërbime të shtuara e cilësore në të gjithë zonën.
“Zona për rindërtim e Krujës, është 1.5 ha. Zona e rindërtimit ka parë të nevojshëm dhe rigjenerim urban. Në situatën aktuale, ndërtesat që janë dëmtuar, kanë qenë të vjetra. Ato kanë pasur dëmtime të mëdha. Brenda zonës ë rindërtimit sipërfaqja për prishje është rreth 26 mijë metra katrorë. Janë 26 banesa kolektive dhe në zona të tjera, ka 8 banesa. Kemi ndërmarrë dhe një planifikim për ndërtesat publike. Është menduare që pozicionimi i banesave të jetë rreth zonave të gjelbëruara”, tha ministrja.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit i tha kryeministrit se puna për këtë projekt do të fillojë që nga java e ardhshme.
Rama: Drejtor kur bëhem gati të rifillojmë punën këtu?
Dritan Agolli: Rruga për ndërtimin e tyre është e hapur, pasi masterplani është gati.
Rama: Kur parashikohet të fillojë procesi?
Agolli: Prishja mund të rinisë që javën që vjen. Po plotësojmë dosjet për shpronësimin e pronarëve. Për prokurimin e dizajnit të banesave, do e marrim vendimin këtë javë.
Rama – pyet kryetarin e Bashkisë së Krujës: Jemi gati që të rifillojmë prishjet javën e ardhshme?!
Artur Bushi: Siç bëmë edhe në Thumanë, jemi gati dhe në Fushë-Krujë dhe në Krujë.
Rama: Në Thumanë ka akoma prishje?
Bushi: Vetëm pak objekte ka.
Rama: Kur fillon infrastruktura në Thumanë?
Agolli: Për infrastrukturën mbyllim shumë shpejt marrëveshjen për Thumanën.
Ndërsa ministri Ahmetaj theksoi se i vetmi merak mbetet shpronësimi i pronarëve, teksa tha se procesi i pagesës për ata që janë shpronësuar do të fillojë javën që vjen.
“Këto çështje u evakuuan nga ministrja dhe drejtori. I vetmi merak që kemi nga ana proceduriale është procesi i shpronësimit, që kryetarët, si në rastin e kryetarit të bashkisë së Krujës, të përshpejtojmë pjesën e Thumanës, ashtu sikurse në Kurbin dhe në Laç. Të dyja VKM mendoj që të vijnë javën që vjen në qeveri dhe të nisë procesi i pagesës për të gjithë ata që janë të shpronësuar në bazë të ligjit”, tha ai.