Presidenti Ilir Meta ka folur në lidhje me ndryshimet e bëra së fundmi në Kodin Penal, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.
I ftuar në emisionin “Open” në Top Channel, Meta tha se ndryshimet ishin të nevojshme, pasi kishte një mungesë në Kodin Penal.
“Ka pasur një boshllëk në Kodin Penal për këtë situatë. Kjo është një situatë e panjohur për ne. Ne shpresojmë që kjo të zgjasë pak javë, por nuk e dimë sepse është një situatë e re për ne. Drafti i parë ka krijuar një reagim në opinionin publik, shoqërinë civile dhe media. Unë do të mbaj një qëndrim publik pasi të vijë drafti përfundimtar”, tha ai.
Meta ka folur më tej edhe për mbledhjen e dytë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri Rama dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Kreu i shtetit pranoi se ka pasur një debat mes Ramës dhe Bashës lidhur me numrin e testimeve për koronavirusin dhe gjendje ekonomike të vendit.
“Nuk dua të bëhem zëdhënës i debateve të kësaj mbledhje. Nuk është sekret që opozita insiston tek testimet. Testimet kanë ardhur në rritje graduale, do të rriten edhe më tej. Nuk mendoj se qeveria është kundër. Është e domosdoshme të rritet numri i testimeve në shërbim të hapjes për ekonominë”, tha Presidenti.