Pas Britanisë së Madhe dhe SHBA-së, disa vende të tjera në Evropë kanë nisur të bëjnë plane për heqjen e karantinës. Spanja po planifikon të kryejë më shumë teste, për të siguruar një rikthim të pjesshëm në punë. Por, dyqanet, baret dhe restorantet do vijojnë të rrinë mbyllur.
Austria do të rihapë dyqanet e vogla më 14 prill, dhe më të mëdhatë më 1 maj. Por konsumatorët duhen të mbajnë sërish maska. Aktivitetet publike, do të jenë të pezullura deri në fund të qershorit. Edhe Danimarka dëshiron një rikthim masiv në punë, teksa kufizimet do të nisin të lehtësohen pas Pashkëve të datës 12 prill.
Por autoritetet këshillojnë shmangien e turmave. Italia po flet tani për një fazë të dytë, në të cilën shoqëria duhet të “krijojë kushtet për të jetuar me virusin”, derisa të prodhohet vaksina kundër tij.
Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranca, ka thënë se për të lejuar një lehtësim të masave, do të nevojiten më shumë testime dhe një sistem shëndetësor më i përgatitur.
Nëse shkalla e infektimeve të reja mbetet e ulët, Gjermania planifikon të hapë shkollat, dyqanet dhe restorantet. Ndërkohë, në planin paraprak thuhet se mund të jetë e detyrueshme mbajtja e maskës në çdo institucion publik, dhe në mjetet e transportit publik.
Ekspertët atje sugjerojnë se testet e antitrupave, mund të identifikojnë dhe lejojnë daljen nga shtëpia të njerëzve, që kanë imunitet ndaj koronavirusit. Edhe Franca po bëhet gati të lehtësojë disa masa. Por autoritetet saktësojnë, se zhbllokimi nuk mund të ndodhë menjëherë dhe për të gjithë.
Ata paralajmërojnë se jeta nuk mund të kthehet menjëherë në normalitet, dhe se shumë masa kufizuese do të qëndrojnë në fuqi të paktën edhe për disa javë të tjera.
TIRANA TODAY