Kryeministri Edi Rama është shprehur se do ketë një tolerancë sa u përket personave që i kalon orari i përcaktuar për lëvizur, duke pritur radhën në bankë.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Rama tha se për t’i shpëtuar gjobës ata do të duhet t’i tregojnë policit provën se kanë qenë në bankë.
“E thonë sepse nuk i shikojnë avionët që hedhin bomba, ushtarët e armikut që qëllojnë ku munden, se ndryshe do bënin ato që janë të domosdoshme dhe do të ktheheshin në shtëpi. Për fat të mirë janë pakica, por e shfrytëzojnë orarin e lëvizjes për të dalë edhe pa arsye. Do të kishte më shumë njerëz që do të rrinin në radhën, nuk ka pikë dyshimi.
Por njerëzit duhet të kuptojnë se nuk ka vlerë asgjë që bëjmë, nëse nuk rrimë në radhë me distancë. Sa i përket bankave, natyrisht që në sportelet e bankave, nëse ka njerëz që duhet ët mbarojnë punë, do të ketë tolerancë. Nëse kemi një orar në bankë, nëse ka njerëz që janë në radhë dhe erdhi ora 10, natyrisht që ka tolerancë për t’i shërbyer atyre.
Kur shkon në bankë, ti ke provën që ke qenë në bankë dhe jo që ke qenë në xhiro. Ka një numër shumë të vogël shkeljesh dhe po vazhduam kështu, mos ta bëjmë si kombëtarja që në fund ha golat, ne do të dalim mirë nga kjo histori”, tha Rama.
Kreu i qeverisë i bën thirrje edhe një herë qytetarëve që të kujdesen më shumë për veten e tyre, teksa shton që të mos bëhen në grupe në radhët e dyqaneve dhe të ruajnë distancën.
“Ajo që më alarmon është çdo shenjë shkujdesje nga qytetarët. Nëse kufizojmë oraret nga qytetaret, është e kuptueshme që do të ketë radhë në dyqane, për e pa tolerueshëm që të turremi të gjithë te dera. Ju lutem, mos hedhim në plehra një sakrificë kaq të madhe për kohën që duhet që të mbajmë radhë me distanca, jo grumbull, se po vrasim vete”, tha ai.