Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur disa prej shqetësimeve të qytetarëve, lidhur me masat kufizuese të marra nga qeveria për frenimin e koronavirusit.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Opinion”, Rama u pyet se çfarë do të ndodhë me personat, që nuk shkojnë në punë ndonëse aktiviteti ku ata janë të punësuar vijon.
Kreu i qeverisë thekson se nëse aktiviteti është i hapur dhe njerëzit nuk paraqiten në punë, atëherë ata nuk do të paguhen.
“Nëse aktiviteti është i hapur dhe punonjësit nuk shkojnë në punë, nuk i paguan askush. Asnjë vend, as Italia sot që flasim nuk ka mbyllur pjesën kritike të zinxhirit ekonomik, se po u mbyll pjesa kritike nuk ka ç’të na bëjë virusi më keq nga sa mund t’i bëjmë njëri-tjetrit se kthehen njerëzit në pjesën natyrale dhe hanë njëri-tjetrin. Dhe kush nuk shkon në punë aty ku aktiviteti është i hapur nuk mund të marri asgjë”, tha ai.
Sa i përket familjeve që jetojnë me ndihmë ekonomike, Rama sqaroi se do të marrin asistencë konkrete në ushqime dhe ndihma.
Gjithashtu kryeministri foli edhe për ata të cilët do të përfitojnë në lidhje me kamatëvonesat. Kreu i qeverisë tha se ky plan do të aplikohet vetëm për familjarët dhe biznesin e vogël, por duke falur vetëm kamatëvonesat dhe jo konsumin për debitorët.