Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e cilëson kryeministrin Rama si kokën e krimit të organizuar në Shqipëri.
Në fjalën e saj përpara simpatizantëve të LSI-së në Durrës, Kryemadhi tha se ndërkombëtarët mbyllin sytë para shkeljeve të Kushtetutës nga kreu i qeverisë.
Ajo akuzon kryeministrin Rama se ka vrarë punësimin, duke bërë që shqiptarët të largohen nga vendi.
“Ndërkombëtarët mbyllin sytë. Ndërkombëtarët nuk flasin për shkeljet e Kushtetutës. A mund të më thonë ndërkombëtarët se ku është Kushtetuta sot? Një popull që nuk ka Kushtetutën, sigurisht që e bën vetë. Edi Rama shet dhe blen median. Rama është koka e krimit të organizuar. Ne si LSI do të çlirojmë ekonominë nga kapja e oligarkëve. Ne do të rrisim pagat, do krijojmë mundësinë për rininë, ne do bëjmë gjithçka që Shqipëria të jetë si një vend evropian. Unë asnjëherë nuk kam qenë në pushtet dhe kjo më ka bërë që të jem e lirë. Edi Rama nuk ka ndërmend të punësojë shqiptarët për rindërtim, por do të paguajë të huajt që të marrin paratë që u dhanë për shqiptarët. Vetëm një njeri si Edi Rama mund t’ua bëjë këtë gjëmë vendit. Të gjithë e dimë se Rama tha se do të krijojmë 300 mijë vende të reja pune. Jo vetëm që nuk hapi 300 mijë vende pune, por vrau edhe 300 mijë vende punësh. Edi Ramës mund t’i thuhet vrasës i punësimit. Edi Rama bëri që të rinjtë ose të pranojnë që të punojnë nëpër kanabis ose të ikin. Faturat e dritave dhe të ujit sa vijnë dhe rriten”, tha ajo.