“Këshilli i Evropës në mars do japë dritën jeshile për dy vendet e Ballkanit”, ky ka qenë mesazhi që kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka përcjellë me anë të një postimi në facebook.
Sipas tij, Presidenti i Parlamentit David Sassoli do të ketë një takim të nivelit të lartë me drejtues të Parlamentit Evropian dhe liderët e Ballkanit dhe se Shqipëria ka marrë mbështetjen për fillimin sa më të shpejtë për hapjen e negociatave me BE-në.
Reagimi i plotë:
Filluam sot një ditë intensive në Parlamentin Europian ku takimi i parë ishte me Raporteren për Shqipërinë Isabel Santos. Gjithashtu më pas u takova edhe me bashkë-Kryetarin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri Manolis Kefalogiannis.
Parlamenti Evropian nuk tërhiqet nga pozicioni i palëkundur për të filluar menjëherë gjatë presidencës kroate bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këshilli Europian në fund të muajit Mars duhet të hapë dritën jeshile për të dy vendet.
Për të rikonfirmuar këtë qëndrim të legjislativit evropian, Presidenti i Parlamentit David Sassoli ka ftuar sot pasdite në Bruksel drejtuesit kryesorë të parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor sëbashku me drejtues të vetë Parlamentit Evropian, në një Takim të Nivelit të Lartë “Ballkani Perëndimor – Një rrugë shkëmbore për zgjerimin”.
Ashtu si edhe në Këshillin Evropian në Tetor të vitit të kaluar, shumica e vendeve anëtare mbështesin fillimin e menjëhershëm të bisedimeve për anëtarësim me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Komisioni Evropian, i cili ka monitoruar nga afër detyrat e shtëpisë për secilin prej vendeve, ka raportuar në Këshill dhe në Parlamentin Evropian se dy vendet kanë bërë hapa kurajozë dhe se e meritojnë të kalojnë në fazën finale drejt anëtarësimit.
Por pozicioni i vendeve anëtare divergjon mbi shpejtësinë dhe agjendën e procesit. Miratimi dhe shpallja më 5 Shkurt i Metodologjisë së re për Zgjerimin, është një mundësi e mirë për të shuar divergjencat mes vendeve anëtare. Edhe pse historia e BE ka dëshmuar se zgjerimi e ka forcuar dhe i ka dhënë energji Bashkimit Evropian.
Megjithatë, ruajtja e një perspektive të besueshme në perspektivën e anëtarësimit në të ardhmen është vendimtare për vendet e Ballkanit Perëndimor, sikurse edhe për Bashkimin Evropian. Në Rezolutën e miratuar më 24 Tetor nga Parlamenti Evropian, eurodeputetët shprehën zhgënjimin e thellë mbi dështimin e një dakordësie mbi hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.