Pas shpërthimit të virusit vdekjeprurës, ambasada shqiptare ka nxjerrë një njoftim për shqiptarët që studiojnë e punojnë në Kinë. Ambasada fton të gjithë shtetasit shqiptarë që të tregojnë identitetin, adresën dhe aktivitetin me të cilin merren. Sipas ambasadës, kjo masë po merret për ndjekjen e situatave me rrisk të lartë shëndetësor.
Njoftimi i Ambasadës së Shqipërisë në Pekin:
“Ftohen të gjithë shtetasit shqiptare si dhe bashkëkombësit e trevave shqiptare që studiojnë apo punojnë në Kinë, të njoftojnë pranë ambasadës identitetin, aktivitetin (angazhimin) si dhe vendndodhjen (adresën) dhe telefonin ose chatin. Regjistrimi ne data-bazën tone do te ishte i dobishëm për çdo rast nevoje mbështetje reciproke përfshi dhe ndjekje situatash me risk të lartë shëndetësor si kjo që po kalojmë. Lutem identifikohuni ne e-mailin tone: [email protected]”.
Kina ndodhet në një situatë alarmante, pas përhapjes së një virusi vdekjeprurës ose siç njihet ndryshe koronavirusi i ri. Kjo është një sëmundje që transmetohet nëpërmjet rrugëve respirative, dhe burimi i saj janë kafshët e egra. Aktualisht zona ku është përhapur virusi në Kinë është izoluar totalisht, për të parandaluar transmetimin e saj jashtë territorit.