Ka nisur takimi mes kryeministrit Rama dhe kancelares gjermane, Angela Merkel në Berlin.
Bashkë me kreun e qeverisë në Berlin ndodhet edhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Ky i fundit përmes një postimi në Facebook, tregon se në fokus të diskutimit do të jetë rindërtimi pas pasojave katastrofike të tërmetit të 26 nëntorit.
Ai shton se Gjermania është një vend mik dhe partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë. Sipas tij, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale do të hyjë në një banesë të re brenda vitit 2020.
Postimi i plotë:
#SolidaritetiGjerman. Me Kryeministrin Edi Rama sot në Berlin për takimin pas pak me Kancelaren Merkel për Programin e Rindërtimit në prag të Konferencës së Donatorëve, që do të mbahet në Bruksel më 17 shkurt.
Gjermania është një vend mik dhe partner shumë i rëndësishëm i Shqipërisë. Ashtu siç garantoi Kancelarja Merkel menjëherë pas goditjes tragjike të tërmetit të 26 Nëntorit se “Gjermania dhe Bashkimi Evropian do t’ju mbështesin në këtë kohë të vështirë”, shpresojmë se qeveria federale do të jetë një kontribues i rëndësishëm në fondin e rindërtimit.
Viti i ri 2020 që sapo ka nisur është viti i rindërtimit, i ringritjes pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti. Brenda vitit 2020, çdo familje jashtë qytetit që ka humbur banesën individuale do të hyjë në një banesë të re. Po ashtu deri në gjysmën e parë të vitit 2020, duhet të jenë ngritur në qytetet e prekura, të gjitha kantieret e lagjeve të reja. #TiNukDoJeshKurrëVetëm❤️