Policia italiane ka arrestuar ditën e djeshme 4 shqiptarë, pasi akuzohen për kryerjen e disa vjedhjeve kohëve të fundit.
Në pranga kanë rënë dy burra dhe dy gra, të cilët akuzohen për plaçkitjen e disa shtëpive në zonën e Macerata. Ata u arrestuan gjatë aksionit të tyre më të fundit, teksa burrat kishin hyrë duke grabitur shtëpitë ndërsa gratë e tyre i prisnin me makinë në afërsi të banesave.
Gjatë kontrollit që policia ushtroi në mjetet e tyre u gjetën dhe sekuestruan sende te çmuara të vjedhura. Policia bën me dije se sendet ishin mbledhur me një mbulesë dhe ishin lënë në derën e majte të makinës.
Në makinën e tyre u gjetën dy palë doreza pëlhure profesionale, kapele, dy elektrikë, një kaçavidë e madhe, shumë telefona celularë, unaza, orë, vathë, varëse, diamante dhe rreth 5 mijë euro. Katër shqiptarët janë në pritje të dhënies së masës së dënimit.