Për Nard Ndokën, takimi i djeshëm për reformën nuk ishte aspak surprizë. I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Ndoka tha se ishte diçka proceduriale, që të drejton drejt zgjedhjeve të parakohshme. Një ditë pas marrëveshjes politike që e bën edhe opozitën jashtëparlamentare pjesë të reformës zgjedhore, kryedemokrati Basha tha se asgjë nuk ndryshon nga kërkesat e opozitës së bashkuar, ku më kryesorja është që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Duke qëndruar në të njëjtën linjë, për aleatin e Partisë Demokratike, Nard Ndoka, trysnia kryesore ishte ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, por kjo nuk e përjashton as opozitën.
“E para, ne kemi një detyrim me ato 9 pikat e Bundestagut gjerman, i ka edhe opozita edhe mazhoranca. Në këtë rast ishte një detyrë për klasën politike shqiptare. Opozita e bëri detyrën e vet, ne ngritëm grupet tona si opozitë e bashkuar, draft propozimet, pra i dhamë jetë asaj detyre që ndërmorëm. Rama u përpoq nëpërmjet akrobacive që të ushtrojë presion. Deklaroi para ca kohësh se do ta miratojë me këta deputetë reformë. Pra ai u rikthye në pjesën e një logjike parlamentare. Në këtë sens, trysnia ndërkombëtare ka qenë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga mazhoranca dhe kryeministri Rama. Por kjo nuk përjashton as opozitën në agjendën e vet, kuptohet që ndërkombëtarët ndërhyjnë në të dyja anët e politikës shqiptare, për të dhënë një produkt të besueshëm dhe për të vazhduar më tej me ato detyrat që kemi”.