Nga dosja e Prokurorisë së Durrësit për arrestimin e policëve dhe zyrtarëve të pushtetit vendor është zbuluar një tjetër rast flagrant.
Sipas dosjes së siguruar nga BalkanWeb, thuhet se specialisti i Krimeve të Rënda, Ermand Petova ka mbuluar një rast përdhunimi. Valbona Jusufaj kishte denoncuar në policinë e Durrësit se shtetasi Sami Hoxha kishte kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj.
Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në fshatin Rrotull në muajin qershor të vitit 2019. Ndërkohë kallëzimi i shtetases ka ardhur në fillim të muajit nëntor. Specialisti i krimeve Ermand Petova, ka raportuar se ka vajtur për kontroll tek banesa e shtetasit Sami Hoxha në Rrotull dhe nuk e ka gjetur atë në banesë.
Por nga telefonatat e përgjuara është zbuluar se ata të dy njihen dhe i kërkuari ka qenë në fakt në shtëpinë e tij.
“Më datë 05.11.2019, nga ana e specialistit të krimeve N/komisar Ermand Petova janë referuar materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin Sami Hoxha, i datëlindjes 25.09.1987, banues në fshatin Rrotull, Ishëm, Durrës, me arsim 8 klasë, i pa punë, sepse me datë 03.11.2019, ka bërë kallëzim shtetësia Valbona Asllan Jusufaj (Hoda), se në mesin e muajit qershor 2019, në fshatin Rrotull gjatë rrugës për në shtëpi, në automjet kanë kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj dhe është raportuar se po punohet për kapjen e tij, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”. Neni 102 i K. P. Nr. Unik 201911030081.
Ky shtetas është shpallur në kërkim më datë 05.11.2019 me kartelë ngjyrë “Rozë”, pasi akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”. Specialisti i krimeve Ermand Petova, ka raportuar se ka vajtur për kontroll banese tek banesa e shtetasit Sami Hoxha në Rrotull dhe nuk e ka gjetur atë në banesë. Më datë 06.11.2019, ora 12:57, datë 06.11.2019, ora 5:04:24 PM, datë 08.11.2019, ora 10:01:54 nga bisedat telefonike me personit në kërkim, rezulton se ka njohje me të dhe është në dijeni se ndodhet në banesë dhe nuk kryen detyrën funksionale për ta shoqëruar dhe kryer veprimet procedurale. Më pas nën drejtimin e prokurorit u kërkua që të kryhen veprime procedurale për të provuar faktin, por për shkak të njohjes dhe marrëdhënies së OPGJ Erman Petova dhe të dyshuarit Sami Hoxha, nuk pati rezultat për provuar veprën penale. Nga transkriptimi i bisedave telefonike rezulton se ka dijeni dhe punonjësi i policisë Petrit Neziri”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.