Nga: Mero Baze
Nëse ka një gjë “mizore” të qeverisë ndaj protestuesve të “Unazës së re”, është fakti që i ka lënë një vit të protestojnë për të provuar që kauza e tyre nuk është kauzë e shoqërisë.
Të gjithë ata që tentojnë të përkujtojnë një vjetorin e kësaj proteste, në fakt duhet të kujtojnë, se është shembulli më domethënës, se si një protestë mbetet brenda një unaze të ngushtë njerëzish dhe territori, kur nuk përfaqëson interesin publik, por përpjekjen për t’iu imponuar interesit publik me një hall personal.
Secili prej banorëve të “Unazës së re”, nga ato rreth 30 familje që do t’u prishen shtëpitë, e ka vërtet problem serioz atë me të cilën po përballet. Ata kanë ndërtuar pa leje dhe mbi një njollë që ka qenë prej kohës së Adil Çarçanit, gjurmë e Unazës së Tiranës. Me vetëdije apo vetdije, të nxitur politikisht a jo, ata janë viktima të një Shqipërie që ktheu në prioritet anarkinë mbi ligjin, zaptimin mbi blerjen, masakrën urbane mbi planet e zhvillimit urban etj.
Pra secili prej tyre është në telashe dhe kjo është arsyeja që banorët e kryeqytetit, por dhe më gjerë nuk janë agresivë ndaj tyre, edhe pse ata shpesh kanë bërë gjeste kafshërore ndaj njerëzve që bllokohen në Unazë, ndaj të sëmurëve apo njerëzve që nxitojnë të kapin një orar në Rinas, përfshi dhe sulmin e padenjë ndaj një diplomati që ishte në punë të vet me gruan e tij, siç ishte rasti i ambasadorit të OSBE. E sulmuan ambasadorin në makinën e vet dhe pastaj bëjnë si të zemëruar pse u nxori gishtin. Në fakt po të kishte shtet normal, në atë rast u duhej nxjerrë shkopi i gomës.
Të gjithë kanë parë si njerëz të zemëruar hallexhinj, por që nuk kanë të drejtë të kërkojnë ndihmë nga shoqëria. I kanë lënë në hallin e tyre.
Ajo që është interesante në këtë histori, është se atyre prej dhjetorit të vitit të kaluar u shkoi në krah Partia Demokratike dhe partitë aleate të opozitës. Më mire të themi u shkuan kryetarët e opozitës. Kjo nënkuptonte se protesta do rritej, do bëhej më e madhe, më popullore dhe më e mbështetur.
Në fakt nddodhi e kundërta. U bë dhe më e vogël, dhe më agresive dhe më e izoluar. I vetmi produkt i gjithë protestës një vjeçare, është libri me kujtime nga protesta, i djalit të Fariut, që mund t’i shërbejë për t’u rifutur në listë për deputet dhe për të mësuar të lexojë librin e vet. Asgjë tjetër.
Bashkimi i opozitës me ta, në vend që t’i rriste, i zvogëloi dhe i bëri dhe më të izoluar nga opinioni publik.
Kjo tregon se asnjë opozitar i Tiranës, asnjë qytetar i Tiranës, qoftë ky i PD apo partive të tjera opozitare nuk është ndjerë i motivuar të bëhet palë me interesin e 30 banorëve kundër interesit publik, apo me zaptuesit kundër pronarëve.
Edhe pse Mediu apo Shehi, vegjetojnë në politikë, në emër të ish pronarëve, ku shkuan e u solidarizuan me antipronarët, kjo nuk preku telat e zemrës, të asnjë ish pronari që të shkonte e tu thoshte, “ua kam falur tokën time, vetëm ju të fitoni”.
Përvjetori i kësaj proteste, është një leksion i hidhur i një këmbënguljeje një vjeçare për t’iu imponuar shoqërisë me dhunë, me agresivitet dhe me një politizim të tejskajshëm, në emër të një interesi privat, qoftë kjo dhe një kauzë e dhimbshme, siç është prishja e shtëpive.
Shoqëria nuk e bëri pjesë të saj zemërimin e tyre. Ai nisi në Unazë dhe mbeti në një qoshe të Unazës. Aty mbeti dhe opozita që tentoi ta përdorë, edhe kamikazët që donin të penalizonin Tiranën, pse nuk i mbështeste.
Sot Berisha na kujtoi se protesta mbushi vitin. Nuk e di si e kanë zakonin nga anët e Berishës, kur mbushet viti i një të vdekuri, por ajo protestë ka lindur e vdekur dhe lirshëm sot mund të shpërndajnë dhe hallvë, por jo fishekzjarre fitoresh.