Deputeti i opozitës parlamentare, Lefter Maliqi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, komentoi shtyrjen e negociatave për Shqipërinë me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, ky vendim erdhi për shkak të keqqeverisjes, ndërsa bën fajtor kryeministrin Edi Rama. Për këtë arsye, iu bën thirrje qytetarëve që të marrin në dorë situatën. “Ka ardhur koha që njerëzit të dalin para Kryeministrisë dhe të mos ikin më”.
“Këta morën në qafë edhe vendin fqinj, Maqedoninë e Veriut. Nga t’ia nis nga Berati, nga fshatrat e Tiranës, që kanë mbetur pa investime.
Kryetarët e Bashkive janë kthyer në drejtorë Rajonesh, që të gjithë tenderat i realizojnë dy persona, dhe një person që ndodhet në krahun e Kryeministrit. Del Kryeministri qesh, hap këmbë e krahë, kruan kokën dhe nuk mban asnjë përgjegjësi. Emërimet i kryejnë 3 persona, njërin që e ka në krah dhe dy të tjerë.
Nuk mban më ujë pilafi, kriza e rëndë ekonomike dhe politike ka pllakosur këtë vend. Duhet zgjidhje dhe zgjidhja vjen nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe bashkiake. Këta duan të varfërojnë popullin që ta kenë nën kontroll. Unë nuk jam as me Bashën që del bën miting atje dhe ndez dritat. Ka ardhur koha që njerëzit të dalin para Kryeministrisë dhe të mos ikin më”, deklaroi Maliqi.