Një vit përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, ish-kryeministri socialisti Ilir Meta, do të shpallte shkëputjen zyrtare nga Partia Socialiste, bashkë me një grup deputetësh të njohur. Që pas mbledhjes së famshme maratonë të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të PS në fillim të dhjetorit 2001, marrëdhëniet mes Metës dhe liderit socialist Fatos Nano, kishin qenë tejet konfliktuale.
Nga këndvështrimi i Nanos, LSI ishte pjesë e “katarsisit” të nisur prej tij në vjeshtën e vitit 2001, pak para zgjedhjeve parlamentare të rifituara nga socialistët. Por të kontestuara nga opozita e djathtë dhe më pas faktori ndërkombëtar. Për Ilir Metën, Lëvizja Socialiste për Integrim ishte produkt i një lëvizje reformatore që nisi brenda një partie të madhe. Sipas tij, PS nën drejtimin e Nanos, po degradonte në llumin e korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Termi “kapje e shtetit” nga nepotizmi, klientelizmi partiak, dhe krimi i organizuar që jetonte në simbiozë me politikën, kishte nisur të shfaqej gjithnjë e më shpesh në raportet periodike ndërkombëtare mbi Shqipërinë. Dhe sidomos në raport-progreset e Komisionit Evropian.
Me krijimin e LSI, Ilir Meta, donte t’i kumtonte shqiptarëve se ai nuk kishte lidhje me akuzat e rënda të Fatos Nanos. Në drejtim të tij dhe njerëzve pranë tij për nepotizëm dhe korrupsion masiv. Se ai kishte një vizion tërësisht tjetër mbi jetën partiake, shtetin dhe vendin.
Largimi i Metës nga PS, u komentua asokohe jo pak herë si mundësia për të krijuar një pol të qendrës së majtë. Ndërsa skeptikët, thanë se Meta po e ndërmerrte atë lëvizje, pasi donte të ndihmonte Sali Berishën që të ri-ngjitej në pushtet pas 8 viteve të lodhshme në opozitë, të shoqëruara me një izolim të madh ndërkombëtar.
Ata i rikujtuan opinionit publik se Meta kishte qenë gjithmonë në PS si një “kolonë e pestë” në shërbim të Berishës. Sidomos gjatë viteve 1993-1997, kur kryetari Nano ndodhej në burg, dhe ai në cilësinë e njërit prej nënkryetarëve, tentoi disa herë zëvendësimin e tij. Duke mbjellë përçarje mes socialistëve në kulmin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 1996.
Por rotacionin, e kërkonte jo vetëm Berisha, që kishte shansin e fundit për të vazhduar të mbetej në politikë, por edhe ndërkombëtarët. Këta të fundit, druheshin se edhe 4 vite të tjera të Nanos në pushtet, do të shndërronin atë në një autokrat tipik të ish-republikave sovjetike.
Në zgjedhjet e 2005, LSI luajti rolin e polit të tretë, duke përçarë ndjeshëm votat e majta. Duke rrëzuar kështu PS nga pushteti dhe risjellë në pushtet PD. Berisha e joshi disa herë publikisht Metën të kalonte me të. Por ky preferoi të vazhdonte të qëndronte në opozitë, për të dobësuar më tej PS dhe forcuar partinë e tij.
Nano dha dorëheqjen nga të gjitha funksionet në PS dhe u tërhoq në jetën private. Por as raportet me Edi Ramën nuk ishin të lehta. Marrëveshja e bashkëpunimit për zgjedhjet lokale të vitit 2007, u nënshkrua pas shumë tensioneve në momentet e fundit. Baza e socialistëve, nuk e kishte harruar disfatën që u kishte shkaktuar Meta vetëm 2 vjet më parë.
Ndërsa përballë makinerisë së sofistikuar manipulative elektorale që zotëronte PD-ja, Edi Rama e përqafoi pragmatizmin e Metës. Për të korrur një fitore të bujshme në bashkitë më të mëdha në vend, përfshirë atë të Tiranës. I ndërgjegjshëm për forcën përcaktuese të LSI-së, Ilir Metës iu shtua oreksi.
Ai kërkoi që forma e ardhshme e bashkëpunimit me PS në zgjedhjet parlamentare, të bazohej në lënien e më shumë se 30 zonave të lira elektorale nga 100 të tilla. Kjo u refuzua nga Rama, që pranoi paktin me Berishën për disa ndërhyrje kushtuese në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor, që synonin në thelb eliminimin e LSI dhe gjithë partive të tjera të vogla parlamentare.
Ilir Meta, deputetët e LSI dhe partive të vogla opozitare, hynë në një grevë urie disaditore, që nuk ndryshoi dot asgjë. As faktori ndërkombëtar nuk u shfaq shumë i shqetësuar nga një pakt i tillë. Që ndodhi pak javë pas ngjarjes së rëndë të Gërdecit, ku u vranë 26 njerëz dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
Zgjedhjet e 2009 nuk prodhuan asnjë fitues, ndërsa 4 “votat” e arta të LSI-së, shkuan me koalicionin e PD. Ajo “martesë” e panatyrshme PD-LSI, u justifikua sërish nga Ilir Meta me mos futjen e vendit në krizë, dhe çuarjen përpara të procesit të integrimit.
Por pa kaluar as 2 vite, në janar të vitit 2011, ministri i partisë së tij në kabinetin Berisha, Dritan Prifti, bëri publike në emisionin investigativ “Fiks Fare”, një video-përgjim. Ku Meta me një bllok në dorë kërkonte llogari për disa afera korruptive të lëna pezull.
Eksperti amerikan, që u thirr nga prokuroria për të ekspertuar video-përgjimin, tha se ai ishte origjinal. Ndërkohë, Gjykata e Lartë, e hodhi poshtë atë akt-ekspertizë, duke caktuar një ekspert shqiptar, që arriti në përfundimin se video ishte manipuluar. Në fund, Ilir Meta, u shpall i pafajshëm.
Por ajo video, u bë shkas për ngjarjet tragjike të 21 janarit 2011 në sheshin para kryeministrisë. Ku nga të shtënat e Gardës së Republikës, u vranë 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Në vitet 2009-2013, armiqësia publike mes Metës dhe Ramës duket se mbërriti kulmin, më akuza të ndërsjella monstruoze.
Por kjo nuk i pengoi që të dy, të nënshkruanin një marrëveshje për bashkëqeverisje, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Pas 8 vitesh PD doli sërish në opozitë dhe LSI diktoi sërish rotacionin. Gjatë bashkëqeverisjes PS-LSI, u arrit të merrej statusi i vendit kandidat për në BE. Por çelja e negociatave të anëtarësimit, ka mbetur peng prej më se 3 vitesh.
Pengesat më të dukshme kanë qenë kanabizimi i vendit, problemet me shit-blerjen e votës, dhe mbi të gjitha reforma delikate në sistemin e drejtësisë. Në këtë të fundit, roli i LSI ka qenë në rastin më të mirë i zbehtë, dhe në atë më të keq pengues. Kjo ka hedhur shumë dyshime mbi një auto-kompleksim të Ilir Metës, për shkak të akuzave për shumta ndaj tij për korrupsion.
Një akuzë që i bëhet shpesh kreut demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Në 15 vitet e ekzistencës së saj, LSI është akuzuar shpesh si një sipërmarrje familjare biznesi, dhe jo një forcë e majtë me një ideologji të qartë. Stafeta që Ilir Meta i la bashkëshortes Monika Kryemadhi në drejtimin e LSI, pas zgjedhjes së tij president, përbën një ilustrim shembullor të kësaj akuze.
Gjithsesi, në kushtet kur partitë e tjera të vogla, thuajse janë zhdukur nga harta politike parlamentare, LSI mbetet një realitet elektoral i qenësishëm. Pragmatizmi i Metës dhe Kryemadhit, ka rezonuar me një pjesë jo të vogël të elektoratit shqiptar. Që ka parë tek kjo parti garancinë e qëndrimit thuajse të përhershëm në pushtet, në njërin apo tjetrin kamp.
Integrimi evropian i vendit, është një ekuacion me shumë ndryshore. Ai përparim edhe pse i ngadaltë, u detyrohet shumë faktorëve kryesisht gjeopolitikë. Dhe nuk mund të lidhet kurrsesi me kredon e një partie të caktuar politike.
Ilir Meta është shprehur në një rast, disi me shaka, se LSI do të pushojë së ekzistuari kur Shqipëria të integrohet në Bashkimin Evropian. Siç duken punët, ka për të qenë vërdallë edhe për shumë kohë. Gjithmonë nëse SPAK dhe reforma në drejtësi, nuk shkakton një spastrim të thellë të klasës së diskretituar politike, që sundon aktualisht vendin./ TIRANA TODAY