Nga Preç Zogaj:
Në kuptimin politik të fjalës Kryeministri Edi Rama ka marrë një “ bonus” nga SHBA dhe BE për qëndrimin mbështetës, që ka mbajtur ndaj Reformës në Drejtësi. Rëndësia e këtij qëndrimi ka spikatur në kontekstin e përpjekjeve të llojllojshme për ta penguar, devijuar, përbaltur apo edhe negociuar këtë reformë historike në funksion të tjetërsimit të saj, duke kërkuar t’i hiqet fuqia paravepruese për krimet dhe korrupsionin e derisotëm, çfarë nuk është pranuar nga partnerët amerikanë dhe europianë.
Mbahet mend një batutë e Ramës në një prej momenteve të nxehta të debateve për këtë temë. Ai tha pak a shumë se do të firmoste gjithçka që do të kërkohej nga partnerët.
Nuk është fare me rëndësi të “hulumtohet” se çfarë ka pasur në mendje dhe në zemër kur ua la atyre ta bëjnë si t’u dukej më mirë dhe as të analizohet lidhja mes dorëzimit të firmës për reformën e pashembullt dhe natyrës së tij si personazh politik, ku tiparet e një realizmi deri cinik gërshetohen me ca flateri shelbuese që mëtojnë një origjinë artistike.
Nuk vlen, as të hamendësohet a e ka ditur çfarë është duke bërë, a e ka parë imazhin e prangave ekselente në horizontin e atij ligji, a i ka shkuar ndërmend se po firmos me sy mbyllur përballjen e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë me drejtësinë e re gjithashtu. Fakti është se ka qenë në mënyrë konstante në linjë me “prindërit” e vërtetë të reformës. Për ketë ka patur bonusin dhe mbështetjen ndërkombëtare, pavarësisht se reforma i shërben Shqipërisë dhe duhet tu jemi ne mirënjohës ndërkombëtarëve dhe jo ata ne që jemi në shtëpinë tonë. Por kështu erdhën punët.
Tani kushdo ka mundësi të kuptojë se leximi i krizës nga partnerët është bërë dhe vijon të bëhet në optikën e reformës në drejtësi si përparësi e përparësive dhe si zgjidhje e madhe për Shqipërinë; se faktet e shumta të opozitës dhe medias në lidhje me keqqeverisjen, korrupsionin dhe krimin me lidhje politike me ekzekutivin janë mbajtur shënim pa diskutim nga ana tyre, por nuk kanë provokuar reagime të forta nga ato që jemi mësuar në të kaluarën pikërisht, sepse zgjidhja është drejtësia e re, së cilës i duhet dhënë shansi të ngrihet dhe të niset me çdo çmim, pa ia nënvendosur problematikave të tjera reale që ka vendi.
Duket paradoksale nga një anë që pikërisht qeveria dhe kryeministri përgjegjës për shumë prej ngjarjeve të rënda të kësaj kohe mbajnë dhe tundin flamurin e drejtësisë së re. Është një paradoks që i ekspozohet me lehtësi shpjegimit se kryeministri nuk ka frikë, sepse e ka kapur drejtësinë. Kryeministri do të donte besoj, por tjetër gjë është tundimi dhe tjetër gjë janë mundësitë.
Ngrehina e drejtësisë së e re është ndërtuar i tillë që të mos mund të kapet as nga pushteti ekzekutiv, as nga ai legjislativ. E kanë pohuar disa herë edhe të zotët e punës, përfaqësuesit e SHBA dhe BE që merren më ketë reformë: zbatimi i saj po shkon përpara jashtë çdo ndikimi politik. Sidoqoftë përgjigjen më të mirë do ta japin faktet.
Megjithatë paradoksi i lartpërmendur ekziston dhe ai, sipas meje lidhet në një masë të caktuar me shpërdorimin e bonusit euro-amerikan nga kryeministri. Pra meqë ka këtë mbështetje dhe meqë opozita me qëndrimet e saj ka tërhequr mbi vete kundërshtime të prera dhe kritika nga SHBA dhe BE, zoti Rama i ka lejuar vetes të vetëshpërblehet për reformën dhe ta lëshojë pa duar, si i thonë fjalës, në disa vendime dhe akte të ndërmarra prej tij. Kjo shpjegon, për ta ilustruar me një shembull nga ekonomia, thellimin e skandalit për ndërtimin me PPP të rrugëve Milot-Balldre dhe Vlorë-Orikum. Kostot e këtyre rrugëve dilnin mjaft të fryra vitin e kaluar në raport me studimet reale të fizibilitetit dhe me kostot mesatare të ndërtimit mbi gur të rrugës së Kombit.
Pritej një reflektim nga qeveria kur ja, pas një viti kostot në fjalë kanë fluturuar edhe me shumë. E thoshte personazhi i Dostojevskit, Raskolnikovi në romanin “Krim dhe ndëshkim”, se lakmia për prenë para syve e verbon shikimin sa të mos shohë asnjë pasojë në horizont. Duhet të saktësojmë se ishte në Siberi i dënuar kur kridhej në meditime të tilla. Në fakt PPP-të me kosto kaq të palogjikshme, të kundërshtuara nga SHBA dhe BE dhe të konsideruara skema korrupsioni nga KLSH e Shqipërisë dhe institucionet analoge të auditit të BE-së janë një provokim për drejtësinë e re. Është e pamundur të mos ketë shkelje ligjore dhe vepra penale në kostot e tyre. Mjerë autorët e tyre.
“Bonusi”, për të cilin po flasim dhe që ka shërbyer për ti dhënë një mbrojtje politike kryeministrit bashkëpunues përkundrejt dënimit eventual për tradhti në kupolën e gjuhës dhe gjakut do të shkrihet megjithatë si kripa në ujë në momentin kur këto skema të kalojnë në skanerin e drejtësisë së re dhe të rezultojnë me shkelje. Sundimi i ligjit nuk hyn në borxh dhe nuk i njeh qokat politike.
Një fakt nga një fushë tjetër, i shpërdorimit për të cilin po flasim është ngritja në Tiranë e memorialit të viktimave të atij që është quajtur grusht shteti në Turqi në verën e vitit 2016. Një lojë e ulët politike me viktima të pafajshme qoftë e atyre që e kanë kërkuar, qoftë e atyre që e kanë pranuar dhe që rrinë në hije, duke ngatërruar dynjanë me pyetje elementare “kush e vendosi, kush e solli”, të cilave nuk u del zot njeri, a thua se memoriali ka renë nga qielli. Në fakt s’ka nevojë për pyetje të tilla. Personat që e morën këtë vendim janë logjikisht presidenti i Turqisë, Erdogan dhe kryeministri i Shqipërisë, Rama.
Të kuptohemi: të kujtosh viktima të pafajshme të dhunës shtetërore, të grushteve të shtetit, të akteve terroriste apo edhe të fatkeqësive natyrore është njerëzore, është edhe një kujtesë për qytetarët dhe njerëzimin. Bota ka njohur dhe njeh plot viktima të tilla. Sekush i kujton në vendin përkatës.
Memorialet e viktimave të holokaustit nazist, të akteve terroriste të ll shtatori 2001 në SHBA, të diktaturave komuniste dhe fashiste, të genocidit dhe juntave ushtarake, e tjerë e tjerë, qëndrojnë në vendet ku kanë ndodhur. Atje presin vizitorët nga gjitha bota dhe flasin për historinë. Nuk ka ndodhur që këto monumente të kujtesës të shumëfishohen në shumë kopje dhe të shpërndahen si memoriale ambulante në vendet e tjera. Në Shqipëri ndodh për herë të parë një gjë e tillë dhe mendoj se është rasti më i papërshtashëm në morinë e rasteve që përmenda pak më sipër.
Ka një domethënie dhe vlerë të veçantë bilanci tragjik i viktimave nga popullsia civile në ngjarjet e vitit 2016 në Turqi. Një pjesë e popullsise dolën në rrugë dhe iu kundërvunë ushtarakëve të përshirë në një tentative të vlerësuar si e dobët në çdo pikëpamje për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin dhe qeverinë në fuqi. Kjo nuk kishte ndodhur në ndërhyrjet e mëparshme të ushtrisë në Turqi për të larguar një qeveri e vendosur një tjetër. Presidenti Erdogan dhe vetë Turqia u detyrohet këtyre njerëzve. Marrja e pushtetit me dhunë është antidemokratike në çdo rast.
Por ka edhe një pikëpamje tjetër që thotë se Erdogan e përdori tentativën e dështuar për grusht shteti për nevojat e pushtetit të tij , duke burgosur, përndjekur e hequr nga puna mijëra e mijëra njerëz të akuzuar si përkrahës të kundërshtarit të tij të njohur politik me banim në SHBA, Fethullah Gulen. Pa e zgjatur e gjithë kjo është një çështje e brendshme e Turqisë që do të sqarohet nga koha. Shqipëria s’ka përse përfshihet fare. Edhe po të ishte e sqaruar.
Duket se Erdogan ia ka kërkuar Ramës për ta vënë në provë apo për të dëshmuar pushtetin e tij mbi të. Nuk është hera e parë që Presidenti autoritarist i Turqisë, duke dalë nga tradita e paraardhësve të tij, manifeston një sjellje paternaliste pa sens ndaj Shqipërisë, e cila, duke qenë vend i hapur, e ka lidhur fatin me Perëndimin. Rama nga ana e tij, nuk ka mundur të gjejë ekulibrin midis miqësisë personale me Erdoganin dhe mbajtjes pa re të boshtit euroatlantik të politikës së jashtme të Shqipërisë.
Memoriali është në fakt pasqyra e shfaqjes së këtij ambiguiteti apo konfuzioni nga ana e tij. Nga gjithë intervista tepër kritike e analistit të njohur amerikan David Philips për këtë ngjarje, dhënë radios “Zëri i Amerikës”, godiste më shumë ky paragraf .“Kjo gjithashtu ( memoriali- shënimi im) i dërgon një sinjal shumë negativ edhe Perëndimit dhe Bashkimit Evropian, kur kandidatura e Shqipërisë analizohet në Bruksel. Të jeni të sigurt që Komisioni Evropian do ta shohë ngritjen e memorialit dhe do të shtrojë pyetjen nëse Shqipëria aspiron për një identitet evropian apo preferon besnikëri ndaj Turqisë”. Shpresoj se zoti Rama e ka lexuar me kujdes intervistën e këtij analisti, pozicioni kritik i të cilit i jep fuqi së vërtetës.
Turqia është një vend mik. Trasenë e miqësisë sonë me të e ka shtuar herët themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Qemal Ataturku. Por Turqia nuk është një alternativë për orientimin gjeopolitik të Shqipërisë. As Rusia, as Kina.
Nëqoftëse drejtuesit tanë dështojnë të udhëheqin vendin drejt BE-së, ata s’mund të shërbejnë apo të propozojnë zgjidhje që shohin nga Lindja. Nuk u lejohet ta bëjnë këtë as për diversion e shantazh ndaj perëndimit. Sepse vetëm diskretitohen dhe humbin edhe atë mbështetje që u është dhënë në rrethana specifike, siç është bonusi për reformën në drejtësi. Shpërdorimi i mbështetjes është më keq se mungesa e saj. Për shumicën dërrmuese të popullit shqiptar të tre besimeve oksidentalizmi është më shumë se aspiratë.
Ne nuk jemi duke kërkuar një strehë ku të na jepet. Nëqoftëse, larg qoftë Europa, do të donte të na mbante pafundësisht në paradhomë, alternativa jonë për integrimin mbetet sërish Perëndimi i larmishëm. Asgjë tjetër./Gazeta Liberale