Një seri përgjimesh të reja që e lidhin Vangjush Dakon me grupin e Shijakut të Avdylajve për blerjen e votave në Durrës janë publikuar ditën e sotme nga gazeta prestigjioze gjermane “Bild”. Në to tregohet afrimiteti që ka Dako me kreun e grupit, Astrit Avdylajn, po ashtu ky i fundit kontaktonte edhe me zyrtarë të tjerë të Partisë Socialiste.
Për këto përgjime ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha i cili shprehet se “Bild” shpartallon Ramën dhe narkoshtetin e tij.
Statusi i Berishës:
PERGJIMI I PARE!
Gazeta gjermane Bild, me e madhja ne Europe shpartallon Ramen dhe narkoshtetin e tij.
Ajo publikon per here te pare pergjimet te cilat faktojne se bosi i mafies dhe vrasesi Astrit Avdyli cakton deputetet dhe fitoren e tyre. Sb
Në këtë përgjim dëgjohet komunikimi mes Astrit Avdylajt dhe kandidatit te PS-se per Shijakun, Elton Arbana.
“Me një ton të irrituar të zërit, ai i telefonon Arbanës dhe i thotë se Inspektorati Shtetëror i Ndërtimit po i vendos gjoba disa njerëzve në Sukth dhe se ai nuk po i telefonon dot Gjushit (Vangjush Dako- kryebashkiak i Durrësit) për t’i kërkuar që të ndalojë kjo, pasi kryebashkiaku i Durrësit është me Edi Ramën në Zvicër në një udhëtim”, shkruan Bild.
“Kur Arbana pretendon se nuk ka autoritetet për shkak se e kanë hequr nga posti në Inspektoratin e Ndërtimit, bosi i krimit, Avdylaj kërkon që ai t’u telefonojë inspektorëve, të ndalojnë gjobën, të kërkojnë ndjesë, përndryshe do e bëjë vetë. Në fund, kreu i PS në Shijak pranon dhe i thotë Astrit Avdylajt se ai do i telefonojë dhe do u thotë të kujdesen për ‘problemin’,” shkruan më tej Bild.