Ish-ministrja franceze e Çështjeve Europiane, Natali Loiseau teksa po fliste për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian deklaroi se është kundër.
“Ne vijojmë të jemi kundër. Ata janë gjeografikisht në Europë dhe duhet t’i ndihmojmë, por jemi kundër zgjerimit”, u shpreh ajo për rrjetin francez RTL.
Loiseau kryeson listën e partisë së presidentit Macron “En Marche” në zgjedhjet për parlamentin europian që zhvillohen nga 23 deri në 29 maj.
Kujtojmë se vitin e kaluar Franca kundërshtoi me forcë çdo vendim që shkonte në drejtim të zgjerimit të BE, pasi ishte në përputhje me planin për Europën që paraqiti Macron, në thelb të të cilit thuhej se nuk mund të kishte zgjerim të mëtejshëm të Unionit pa pasur fillimisht një konsolidim të tij të brendshëm.