Mali i Zi paguan më shumë bankierët, Serbia dhe Maqedonia kanë më të lartat pagat e punonjësve të teknologjisë dhe informacionit, dyfish në krahasim me Shqipërinë. Nëpunësit, mjekët, mësuesit janë “të diskriminuar” në raport me rajonin, paguhen deri 80% më pak…
Nëse punon në Shqipëri, paga që merr në fund të muajit është më e ulëta në të gjithë rajonin, për të gjithë sektorët, si në banka, sigurime, industri, bujqësi, arsim dhe sidomos në teknologji informacioni dhe shëndetësi.
“Monitor” ka krahasuar pagat bruto mujore, sipas aktiviteteve ekonomike për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë e Malin e Zi , bazuar në të dhënat zyrtare që kanë publikuar institutet statistikore të secilit vend, ndërsa për Kosovën pagat publikohen të përmbledhura.
Paga mesatare në Shqipëri, prej rreth 50 mijë lekësh (gati 400 euro) është më e ulëta nga të gjitha vendet e rajonit. Më e larta është në Mal të Zi (765 euro), Serbi (644 euro), Maqedoni (591) dhe Kosova e parafundit (528 euro)- shih grafikun Paga mesatare bruto, sipas vendeve të rajonit . Duhet pasur parasysh se Shqipëria është një nga vendet që ka evazionin më të lartë në sigurimet shoqërore, çka nënkupton që pagat reale mund të jenë dhe më të larta, pasi INSTAT deklaron pagat në bazë të informacionit nga Tatimet, për të cilat paguhen sigurime shoqërore.
Profesioni më i paguar në të gjithë rajonin është ai i bankierëve në Mal të Zi, ku mesatarisht fitohet rreth 1440 euro në muaj (Aktivitetet financiare dhe të sigurimit). Edhe në Shqipëri, ky aktivitet është më i paguari në raport me të tjerët brenda vendit, me rreth 840 euro po sërish mbetet më i nënpaguari në rajon. Në Serbi dhe Maqedoni, aktivitetet financiare dhe të sigurimit paguajnë përkatësisht rreth 1000 dhe 1200 euro në muaj, rreth 20-40% më shumë se në Shqipëri (shiko tabelën: Paga mesatare mujore bruto, sipas grup aktiviteteve, (euro) . Duhet pasur parasysh se ky sektor në vendin tonë është më i formalizuari, ndaj dhe pagat janë reale.
Mali i Zi mban rekord dhe për pagat që jep në sektorin e bujqësisë, me 770 euro në muaj, pothuajse e barabartë me pagën mesatare të atij vendi.
Nëse je një ekspert i teknologjisë së informacionit, vendet e rajonit që të paguajnë më shumë janë Maqedonia dhe Serbia, me përkatësisht rreth 1,100 dhe 1,200 euro në muaj, që është pothuajse dyfishi i asaj që merr i njëjti ekspert në Shqipëri. Në Serbi, një programues kompjuteri merr mesatarisht 1,500 euro, sipas të dhënave më të detajuara nga Zyra Statistikore e Serbisë. Edhe në Maqedoni, një programues kompjuteri merr 1,530 euro.
Të nënpaguar në raport me rajonin janë dhe punonjësit shqiptarë në sektorin e industrisë përpunuese, me rreth 270 euro, ndërsa në rajon paguhen të paktën dyfishin. Edhe industria nxjerrëse, ndonëse ga paga më të larte, rreth 600 euro, sërish i ka gati sa gjysma e rajonit në të njëjtën kategori.
Edhe në shtet, ku evazioni është zero, sërish administrata publike shqiptare, mjekët, mësuesit janë më pak të paguarit. Paga mesatare në shtet ( Administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale) është 480 euro në Shqipëri, rreth 530 euro në Kosovë, rreth 670 euro në Maqedoni, 760 euro në Serbi dhe më e larta në Mal të Zi me rreth 880 euro. Mali i Zi është vendi që ka të ardhurat më të larta për frymë në rajon, me rreth 475 të mesatares së Bashkimit Europian, nga 30% që e ka Shqipëria, sipas statistikave të tjera të Eurostat, më e ulëta në Europë.
Në arsim, mësuesit shqiptarë paguhen mesatarisht 20-50% më pak se në vendet e tjerë fqinjë (gati 500 euro në Shqipëri, kundrejt 725 euro në Mal të Zi).
Në shëndetësi, mjekët e infermierët shqiptarë paguhen mesatarisht 50-80% më pak se homologët e tyre në rajon (425 euro paga mesatare në shëndetësi, kundrejt 820 euro në Mal të Zi). Se fundmi edhe Kosova dyfishoi pagat për sektorin e shëndetësisë duke paguar me rreth 1,200 euro një mjek specialist dhe mbi 500 euro një infermier. /monitor.al