Deputetja demokrate Rudina Hajdari, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Integrimin Europian, i kërkoi ministrit Genc Cakaj që të tregojë arsyet se përse shkarkoi 20 punonjës të ministrisë. Cakaj tha se disa prej të larguarve kanë tejkaluar sjelljen e diplomatit, ndërsa disa të tjerë nuk janë në lartësinë e duhur.
Pasi foli për valën e pastrimit të diplomatëve, ministri i Jashtëm u shpreh se do të ketë dhe shkarkime të tjera në rast se performanca e punonjësve nuk do të jetë në nivelin e duhur.
“Të tjera shkarkime nëse performanca nuk do të jetë në nivelin e duhur. Jam i gatshëm të thelloj reformat, e të marr veprime të guximshme që të rinj e të reja me rezultat e të shkëlqyera, të bëhen pjesë e trupit diplomatik. Një pjesë e tyre nuk mund të qëndrojnë në misione diplomatike për shtatë vite, pa asnjë transferim”, tha ndër të tjera ai.
Duket se qëndrimi i prerë i deputetes së PD-së, nuk i ka pëlqyer aspak një pjese të qytetarëve, të cilët kanë shprehur mllefin. Një pjesë e tyre i kërkojnë që ajo të rikthehet në bazën e saj, e një pjesë tjetër nuk janë kursyer me ofendimet.
Komentuesit e këshillojnë Rudina Hajdarin që të mos bëjë deklarata publike, pasi po bëhet e neveritshme dhe shumë qesharake.