Cristiano Ronaldo ishte vendimtarë me golin e tij në minutën e 4’ përballë Marokut, duke i dhënë një fitore mjaft të vlefshme Portugalisë për aventurën në këtë Botëror. Ylli i Real Madridit, 33 vjeçari shënoi golin e katërt të turneut dhe 85 për Portugalinë, duke thyer rekordin e 62-vjeçarit të Ferenc Puskasit.Ish-ylli i Manchester Unitedit e nisi këtë botërorin me 81 gola, por tregolëshi kundër Spanjës dhe një kundër marokienëve, arriti që të bëjë për vete rekordin. Ikona hungareze ka arritur të shënon 84 gola për kombëtaren në vetëm 89 ndeshje.
Ronaldo tashmë është i dyti në listën globale–pas Iranianit, Ali Daei, i cili ka shënuar 109 gola në vetëm 149 ndeshje mes viteve 1993 dhe 2006. Legjenda e Brazilit, Pele është në pozitën e shtatë të renditjes me 77 gola për kombëtaren. Rivalizuesi i përhershëm i portugezit, Lionel Messi është në pozitën e 18-të me 64 gola për Argjentinën.
Ronaldo është shpallur edhe lojtari i ndeshjes në sfidën Portugali-Marok. Ylli portugez i siguroi tri pikë Portugalisë në një ndeshje të vështirë pas barazimit të tij të famshëm kundër Spanjës.