Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla ka dënuar thirrjet e Lulzim Bashës për mosbindje civile, ndërsa e ka cilësuar si të papërgjegjshëm.
“Unë e kuptoj zotin Basha që po mundohet të gjejë çdo degë për t’u kapur në rënien e tij të lirë. Edhe kjo sjellje apo thirrje, e cila në çdo vlerësim ligjor është e paligjshme dhe bie në kundërshtim me rregullat bazë të funksionimit të shtetit dhe të sjelljes në një vend demokratik,” tha Balla.
Reagimi i plotë:
Unë e kuptoj zotin Basha që po mundohet të gjejë çdo degë për t’u kapur në rënien e tij të lirë. Edhe kjo sjellje apo thirrje, e cila në çdo vlerësim ligjor është e paligjshme dhe bie në kundërshtim me rregullat bazë të funksionimit të shtetit dhe të sjelljes në një vend demokratik.
Është e paligjshme që një politikan i bën thirrje qytetarëve të mos paguajnë taksat, kur ndërkohë mbi bazën e tyre funksionon buxheti i shtetit, funksionojnë të ardhurat, funksionojnë shkollat, funksionojnë qendrat shëndetësore, funksionojnë spitalet.
Të thuash mos paguani taksat, do të thuash që të mbyllim spitalet, do të thuash që të mbyllim shkollat. Megjithatë, në papërgjegjshmërinë e vet të Lulzimit, që të gjithë e dimë se hall i madh e ka zënë, po të kemi parasysh disa fatalitete që e presin lidershipin e Partisë Demokratike në ditët dhe në javët në vijim, çështja e financimit rus, të gjithë e dimë se procesi i hetimit po ecën dhe Lulzim Basha nuk duhet të vonojë të japë dëshmitë e veta për këtë çështje.
Më datë 17 prill, të gjithë shqiptarët presin një lajm të mirë për Shqipërinë dhe për aspiratën tonë për integrim europian. Ky përshkallëzim i sjelljes së opozitës ka të bëjë pikërisht me të gjitha pritshmëritë që Komisioni, në mesditën e 17 prillit, do të rekomandojë hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, pa asnjë kusht. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë shqiptarët, por nuk është një lajm i mirë për treshen Berisha-Basha-Kryemadhi, të bërë bashkë pikërisht nga një arsye që të gjithë shqiptarët e dinë.
Procesi i Vettingut dhe Reforma në Drejtësi po ecin përpara. Edhe në seancën e fundit të Kuvendit, kujtoni, i gjithë shqetësimi i treshes nuk ishte taksa e rrugës Durrës-Kukës, e cila është një vendimmarrje që ka kaluar në debat në Kuvendin e Shqipërisë në 2016, por ishte kundërvënia ndaj procesit të rëndësishëm të implementimit të mëtejshëm të Reformës së Drejtësisë, kundërvënia kundër Vettingut, referimet për rastin e parë të procesit të Vettingut që shkoi në fund, e raste të tjera që do shkojnë në fund, për ta pastruar njëherë e përgjithmonë sistemin e drejtësisë nga elementë të korruptuar apo shërbëtorë të interesave të caktuara politike.
Dua ta them shumë qartë që rasti i dhunës kundër pronës publike apo private duhet të jetë i dënueshëm nga të gjithë. Një parti politike që vërshon të përdorë këtë rast për interesa të vogla dhe të skenarëve të mburojës që PD ka për hallet e veta, nuk i bën mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
I bëj thirrje PD dhe pozicionimit momental të LSI,- të cilët në 2016 ishin pro tarifës së kalimit në atë rrugë, madje ishin firmëtarët me të drejtë në ushtrim të përgjegjësisë së portofolave ministrorë që kanë mbajtur në qeverinë 2013-2017, tani janë pozicionuar në krahun tjetër,- se këta kanë për detyrë të sillen sipas rregullave dhe sipas ligjeve. Është e paimagjinueshme që dy parti politike shkojnë nëpër dyert e komisariateve për të dalë në krah të disa elementëve, nga referimet në media 1/3 e të ndaluarve rezultojnë të paktën deri tani të jenë elementë me një të shkuar kriminale, që variojnë nga trafikimi i lëndëve narkotike, te vjedhjet, te dhuna.
Dy parti politike që marrin përsipër t’u bëjnë avokatinë elementëve që qenkan të skeduar për dhunë, për krim, për trafik narkotikësh, bëjnë thirrje që të lirohen individë të cilët kanë shkaktuar një dëm ekonomik disa milionë, këtu duhet të jemi shumë të saktë jo vetëm çështjen që ka të bëjë me dëmtimet e terminalit, por edhe dëmin ekonomik të shkaktuar për mos funksionimin e një kontrate, e cila rëndon në të gjithë faturën e kësaj çështjeje.
Për sa i përket sjelljes së tyre për mosbindje civile, unë jam i bindur që të gjithë shqiptarët e kanë shumë të qartë se këtu ka një përpjekje për të shfrytëzuar një çështje që edhe ne, edhe ministri Gjiknuri sapo e tha, duhet të ishte shpjeguar më mirë.
Unë jam i bindur që edhe qytetarët, banorët e ndershëm e të thjeshtë të Kukësit, të cilët pasi të kuptojnë që ka një trajtim tërësisht të veçantë, për ata që e përdorin në mënyrë të shpeshtë përmes një aboneje, e cila do t’u ofrojë një tarifë tërësisht më të mirë e më të lirë.
Kjo është një përpjekje për t’u përdorur për qëllime politike.
E ritheksoj, si sot dy javë Shqipëria ka momentin më të rëndësishëm të 10 viteve që kemi kaluar dhe të 10 viteve që vijnë.
Kush tenton që për arsye të karrierës së vet politike, këtu e them shumë qartë për të gjithë shqiptarët: Lulzim Basha është në fund të karrierës vet politike dhe si një i përfunduar në karrierën e vet politike po mundohet t’i bëjë dëm Shqipërisë.
Megjithatë, shqiptarët dinë të vlerësojnë, dinë të kuptojnë që ky është një moment i rëndësishëm për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë në rrugën e patjetërsueshme të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Për gjithçka ka sqaruar sot për publikun ministri Gjiknuri, edhe kjo çështje po trajtohet me seriozitet nga ana e Kryeministrit, qeverisë. Haka do të shkojë te i zoti, po të kemi parasysh një element shumë thelbësor: historia e Durrës-Kukës është një histori e cila duhet hetuar dhe rihetuar. Mjafton vetëm një element: vendosja në përdorim e tunelit të Kalimashit përpara se të merrej në dorëzim për arsye elektorale të vitit 2009 dhe dëmi i shkaktuar vetëm për atë gabim, prej 60 milionë eurosh, është një vepër penale që në Shqipëri ende nuk është hetuar. Rikthimi në vendin e krimit nga ana e Lulzim Bashës apo Sali Berishës bashkë me të, duhet të jetë për institucionet e ligjzbatimit dhe institucionin e Prokurorisë në mënyrë të veçantë, një element për t’u rivendosur në hetim, e gjithë procedura.
Zoti Balla, a kanë të drejtë anëtarët e Partisë Socialiste të protestojnë? Keni përjashtuar nga partia disa këshilltarë që i janë bashkuar protestës.
Duhet ta ndaj shumë qartë dhe ta rishpjegoj për ju. Unë mirëkuptoj këdo që bën një veprim të tillë, por jo një anëtar të Këshillit, i cili minimalisht ka pasur gjithë kohën në dispozicion; të ishte informuar! Madje duhej të kishte luajtur ai një rol shpjegues për të gjithë ata që e kanë përzgjedhur për t’i përfaqësuar. Pra nuk ka qenë asnjëherë e vërtetë se banorët frekuentë të Kukësit, të cilët duan të përdorin aksin nga Kukësi në Reps, do të kishin një tarifë si të tjerët, të cilët e shfrytëzojnë në mënyrë të rrallë. Dhe kjo ka qenë një detyrë e të gjithëve për ta shpjeguar për banorët e thjeshtë të Kukësit.
Më qesharaku në gjithë këtë histori ishte dje në një emision televiziv, kryetari i Bashkisë së Kukësit, i cili thoshte: “Nuk e dija që rruga do të ishte me tarifë”. Imagjino çfarë Kryetar Bashkie paska Kukësi, që nuk e paska marrë vesh që në 2016-ën, kur është firmosur nga z. Haxhinasto procedura, kjo ka qenë një rrugë me toll, me tarifë, sikurse janë pjesa më e madhe e të gjitha rrugëve europiane sot. Koneksioni i shkurtuar që lidh Fushë-Krujën me Rrogozhinën apo projekte të tjera të rëndësishme do të jenë sipas këtyre standardeve të të gjitha vendeve europiane. Kaloni kufirin, hyni në Maqedoni, duhet të paguani disa taksa me radhë për të arritur deri në Shkup. Kaloni matanë në Kapshticë, për të shkuar në Selanik te vëllezërit dhe motrat tona shqiptare, emigrantë që jetojnë prej vitesh atje, përsëri duhet të paguash. Ky është një proces i cili duhet të ishte bërë më mirë nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak.
Që përfaqësuesit e tjerë të partive politike nuk e kanë bërë këtë detyrë ashtu siç duhet, sepse u takonte anëtarëve të Këshillit, kjo është një gjë tjetër.
Vendimmarrja jonë, ajo që bëri me dije kryeministri, do të kalojë në të gjithë procedurën që ka përcaktuar statuti i Partisë Socialiste.
Tarifat janë nga 1 deri në 3 euro, z. Balla, në Greqi si për Janinën, si për Selanikun. 5 euro është e duhura për qytetarët?
Të jeni të sigurt që në fund të këtij procesi, pasi të ikë e gjithë tymnaja dhe zhurma që ka zënë vendin e arsyes, të gjithë njerëzit, edhe ata që do të kalojnë në atë rrugë do të kuptojnë se sa e rëndësishme është vijimi në nevojë të zgjerimit të këtij shërbimi për të gjithë qytetarët e Shqipërisë në çdo cep.