Adem Gashi bëri bujë në Australi me veprimin e tim, ku pasi gjeti në tren një çantë me 6250 dollarë vendosi të ia kthejë ato pronares. Ai foli mëngjesin e sotëm në një lidhje direkte në “Wake Up”, duke rrëfyer se për asnjë moment nuk mendoi të bënte të kundërtën.
Shqiptari Adem Gashi ka bërë bujë së fundmi në Australi pas një veprimi me të vërtetë për t’u vlerësuar. Ai ishte duke udhëtuar me tren dhe gjen një çantë me 6250 dollarë. Ndoshta për shumë të tjerë, pse jo edhe australianë, këto para do të bëheshin menjëherë të tyret, por jo për Adem Gashin, i cili ia ktheu pronares.
“Zonja u ul pranë meje në tren, ndërsa nuk qëndroi aty më shumë se 1 minutë dhe u ngrit sërish. Sapo ajo doli unë pash çantën dhe u mundova të trokisja në dritare dhe t’ia jepja atë, por treni u nis dhe nuk munda. Më pas zbrita pas 3 stacionesh. Kërkova për ndonjë kontakt në çantë, por nuk gjeta gjë, vetëm disa çelësa makine. Ndërsa gjeta dhe një çantë të vogël me para. Për asnjë moment nuk kam menduar që t’i mbaja paratë. Përkundrazi, kur pash çelësat e saj më erdhi shumë keq, pasi kjo gjë më ka ndodhur edhe mua. Pasi dola nga treni, kontaktova një televizion dhe me ndihmën e tyre gjeta zonjën. Nuk njoftova policinë pasi doja t’ia jep vetë paratë zonjës. Ishte një ndjesi mjaft e bukur kur arrita ta gjej dhe t’i dorëzojë çantën”, shprehet Adem Gashi në “Wake Up”. Më tej, ai tregon se ka 13 vite që jeton dhe punon në Australi.
“Sot në mëngjes duke udhëtuar me tren kam gjetur një çantë me 6250 dollarë, pastaj kam kontaktuar me televizionin Channel 7 dhe së bashku me ata kemi gjetur adresën e pronares së çantës dhe ja kam kthyer së bashku me paratë. Shpresoj se të gjithë njerëzit duhet të veprojnë kështu sepse është ndjenjë e mirë kur humb diçka dhe dikush ta sjellë në shtëpi”, ka shkruar Gashin në profilin e tij të “Facebook”, ku bashkëngjitur i ka lidhur edhe kronikën e televizionit që e ndihmoi të gjente pronaren e çantës.