LSI ka zgjedhur Fierin për të mbyllur fushatën elektorale, ndërsa gjatë fjalës së tij, Ilir Meta shpjegoi se përse zgjodhi pikërisht këtë qytet.
Më tej, Meta vijoi me akuzat ndaj PS-së, për të cilën tha se tashmë ka filluar t’i lutet PD-së që ta shpëtojë nga ky uragan, si dhe e akuzoi se po mundohet t’i blejë shqiptarët e varfër me 50 apo 100 euro.
FJALA E METËS:
Nga Durrësi konfirmuam që LSI do të jetë forcë e parë më 25 qershor, ashtu si në Tiranë. Jo rastësisht mitingun e fundit, e fitores e lamë këtu në Fier, në kryeqendrën historike të socialistëve.
Këtu janë të gjithë socialistët e ndershëm të Fierit që u tradhtuan dhe e kuptuan që mavija punon vetëm për xhepat e saj, janë të gjithë ata që nuk e pranojnë dhunën, presionin për të mos votuar për atë s’duan. Nuk mund të pranojnë fierakët, sepse kandidati mavi i 9 këtu në Fier u kujton dhunën e bërë nga Berisha në Libofshë.
E dëgjuat që dje i bëri thirrje Partisë Demokratike për të ndihmuar. Ata që deri para ca kohësh ju thonin mos votoni me LSI-në se do shkojnë me PD-në, tani i thonë PD-së aman na shpëto nga ky uragan.
Mavija do iki njëherë e përgjithmonë nga drejtimi i Shqipërisë, që përfaqëson drejtimin më antipopullor, drejtim shtypës ndaj qytetarëve të thjeshtë, drejtim përjashtues ndaj të rinjve sepse mavija është vetëm në shërbim të oligarkisë dhe biznesmenëve të mëdhenj. Mavija me taksat e larta ka cenuar standardin e jetesës për mijëra qytetarë, i ka shpallur luftë shtresës së mesme në Fier dhe në të gjithë Shqipërinë.
Mavija lufton për 6-7 oligarkë dhe i do të gjithë2 shqiptarët të varfër që t’i blejë sa më lirë një herë në 4 vjet, me 50 apo 100 euro.
Dy janë rrugët e sundimit të mavisë: varfërimi i shqiptarëve dhe fuqizimi i oligarkëve e bandave kudo si një mjet presioni e dhune ndaj njerëzve të thjeshtë.
LSI do fitojë se është partia e rinisë, do fitojë se duhet të ikë nga pushteti mavija dhe jo rinia.
LSI nuk do i bëjë lekët rrush e kumbulla me beton e palma./ Tirana Today