Intervistoi: Marsela Sinani
E dini se paniku shkakton më shumë dëm se koronavirusi?! Teksa koronavirusi është tashmë një emergjencë shëndetësore globale, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, e gjithë bota po përpiqet që ky virus vdekjeprurës të shkaktojë sa më pak viktima.
Por ndërsa instancat e larta raportojnë shifrat, duke e matur paraprakisht për të qenë të besueshëm, shpesh herë mediat e më së shumti rrjetet sociale shtrembërojnë faktet. Informacioni i huazuar nga një faqe në tjetrën merr një tjetër formë.
Shpërfytyrohet, e madje me dashakeqësinë më të madhe kthehet edhe në shërbim të klasës politike. Në këto orë mjaft të vështira për botën, vemendja është kthyer tek Italia, ku frika është edhe më e shtuar tek emigrantët shqiptarë.
Qytetarët, të ndodhur para një fakti të tillë, shpesh ushqehen edhe me lajme të rreme. Ky dezinformim nuk sjell gjë tjetër veçse rëndim të gjendjes emocionale. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ndau me qytetarët një video, ku shpjegohej qartësisht nëpërmjet 10 hapave masat që të gjithë mund të ndërmarrin, për tu mbrojtur nga koronavirusi. Po kështu edhe kryeministri Rama, si për ti dhënë shuplakën e radhës të gjithë atyre që përhapnin lajmet se ‘Shqipërinë e mori lumi’.
Në një kohë kur shqiptarët po përballen me një epidemi të re, cilësuar ndryshe edhe si ‘dezinfektimi i mendësisë’, “Tirana Today” ka kontaktuar sociologen Entela Binjaku, për të na orientuar si të kalojmë këto çaste frike e paniku.
“Sikur të mos mjaftonte tërmeti i vetëm pak muajve më parë, trauma dhe paniku që përjetoi shoqëria, tashmë një valë e re frike ka përfshirë mjaft qytetarë. Sot më së shumti në njerëz flitet për koronavirusin. Ka nga ata që u janë drejtuar me shpejtësi farmacive, dhe fluksi ka qenë i atillë që shpejt u boshatisën farmacitë të gjendura edhe të papërgatitura për këtë fluks. Në pak orë mbaruan maskat dhe dezinfektuesit, dhe po ashtu njerëz të interesuar për fitim, përfituan nga kjo situatë.
Pra kjo frikë ka kapluar një shoqëri të drobitur nga fatkeqësia natyrore, mosbesuese ndaj zgjidhjeve institucionale, me një kulturë të ulët të edukimit shëndetësor, me vdekshmëri të lartë nga sëmundjet tumorale, me shërbime shëndetësore të një cilësie të dobët. Një shoqëri që ka konsum të lartë antibiotikësh, vdekshmëri të lartë kardiovaskulare, një shoqëri që gjendet në mes të një fluski të pamasë informacionesh, sidomos kur në shtetin fqinj ka një alarm dhe angazhim institucional të lartë.
Mendoj se kjo shoqëri ka nevojë të mbahet e informuar, të ruhet me të një komunikim i vazhdueshëm dhe korrekt, sepse një ndër faktorët e këtij paniku lidhet edhe me informacionet që vijnë se bota i ka rritur veprimet në drejtim të këtij koronavirusi, si përmes ekspertëve, mjekëve epidemiologë, virologë, infeksionistë, punonjësve që merren me kërkime në këto drejtime, apo ka shtuar bashkëpunimin me agjencitë ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit.
Po ashtu, këto shoqëri kanë rritur bashkëpunimin me ata që kanë kuptuar se komunikimi me përgjegjësi merr një vlerë të madhe në raste të tilla. Kur shohin angazhimin e këtyre shoqërive, shoqëria jonë e cila është edhe mosbesuese ndaj institucioneve, ndjehet edhe më e frikësuar.
Ne si shoqëri duhet të kuptojmë se ka ardhur koha të dimë të vlerësojë informacionet me cilësi, të dimë të shkojmë në burimet më të sigurta, të mos i besojmë çdo lloj miti, të ruajmë qetësinë dhe kthjelltësinë ndaj lajmeve të rreme, të mos humbasim në lexime të panevojshme në internet, të mos ecë “ça më tha njëri, ose ça dëgjova”.
Sipas një studimi të botuar në vitin 2018 në ‘Science Magazine’, lajmet e rreme shpërndahen thuajse 10 herë më shpejt në rrjetet sociale, sesa ato të vërteta dhe të bazuara.
Ndaj në këto kushte, ato platforma që kanë edhe respekt për punën e tyre dhe quhen serioze, duhet të shmangin mbjelljen e informacioneve që janë të paverifikuara, duhet të zgjedhin vetëm burime zyrtare dhe të shmangin pohimet që mbjellin panik. Edhe vetë epidemiologjia na mëson se paniku i popullsisë është një nga faktorët kryesorë që ndihmojnë në shtrirjen e një epidemie apo pandemie.
OBSH-ja ka thënë se po përballet edhe me një epidemi të re përveç kësaj të koronavirusit: infodemia. Pra një bollëk lajmesh të sakta ose më pak të sakta, të plota ose jo, që u vijnë në ndihmë njerëzve. Zhvillimi i rrjeteve sociale dhe i motorëve të kërkimit, ka krijuar një kontekst të paparë ndonjëhere: qarkullimi i informacioneve sot po konkurron edhe qarkullimin e vetë virusit.
Shëndeti kërkon shumë përfshirje, parandalim, kujdes dhe empati e mbi të gjitha organizim institucional. Në këto kushte duhet të kuptojmë se specialistët e shëndetit duhet të japin informacione të shpjeguara sa më thjeshtë, të trajtojnë sa më shumë mitet mbi shëndetin, të trajtojnë lajmet e rreme, tu flasin qytetarëve për terapi që nuk kanë baza shkencore”, u shpreh për “Tirana Today” Entela Binjaku.
TIRANA TODAY