Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me dhurimin e maskave dhe veshjeve mbrojtëse nga Hungaria për Shqipërinë.
Përmes një postimi në Facebook, Meta ka falënderuar autoritetet hungareze, të cilat dhuruan 100 mijë maska dhe 5 mijë veshje mbrojtëse mjekësore.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, Péter Szijjártó i dhuroi ndihmat gjatë një takimi me ministrin në detyrë për Evropën dhe punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Postimi i plotë:
Mirënjohje Hungarisë mike dhe aleate të përhershme të shqiptarëve, për solidaritetin dhe ndihmën bujare konkrete që i dha sot vendit tonë në mbështetje të luftës kundër COVID-19, duke na dhuruar 100 mijë maska dhe 5 mijë veshje mbrojtëse mjekësore.
Falenderoj Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë të Hungarisë, z.Péter Szijjártó që shprehu sot nga Tirana vullnetin për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht kundër pandemisë, kësaj të keqeje të përbashkët.