Gjatë sezonit veror do të ketë lehtësira në kufirin Kosovë-Shqipëri në fundjavë dhe për festa zyrtare. Ministrat e Brendshëm, të Kosovës dhe Shqipërisë kanë bërë me dije se do bëhen lehtësira të kalimit kufitar.
“Prej 1 qershorit deri më 30 shtator, për çdo fundjavë dhe çdo ditë feste shtetërore, në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë në qarkullimin e qytetarëve të të dy anëve”, deklaroi ministri Çuçi.
“Herën e fundit kur isha në Shqipëri, polici kufitar në Vermicë më uroi udhëtim të mbarë”, tha ministri i Brendshëm i Kosovës.
Kryeministri Edi Rama ndërhyri përmes një batute, që shkaktoi të qeshura në mbledhje. Ai kërkoi që asnjë polic të mos shqetësoj qytetarët, të cilët do të kalojnë kufirin.
“Mund t’jua kurseni këtë urim qytetarëve dhe kur kalojnë të mos kenë policë fare që i kurojnë dhe të ketë thjesht ndalime të rastësishme për çdo 500 makina. Mund të ndodhë kjo apo duhet patjetër që policët të përshëndesin të gjithë. E kam thënë që mbledhjen e parë, vetëm Ministrat e Brendshëm do të firmosin një marrëveshje të tillë. Shpresoj që në korrik, qytetarët të vijnë pa ia uruar policia mirëseardhjen”, tha Rama.