Nga Doug Criss “CNN”/ Miliona votues amerikanë, do të shkojnë shumë shpejt në votime në të gjithë SHBA. Ata nuk do të zgjedhin një president. Por ndikimi i zgjedhjeve të mesit të mandatit, mund të jetë thuajse po aq i rëndësishëm. Presidenti Donald Trump nuk është në fletëvotime, por rezultatet do të jenë një referendum mbi udhëheqësin polarizues të SHBA-së, politikat e tij, dhe politikanët republikanë, që e kanë lidhur fatin e tyre me të.
Presidenti Trump, mund të ketë më shumë ose më pak pushtet në Uashington, pas këtyre zgjedhjeve. Zgjedhjet mbahen zyrtarisht të martën, më 6 nëntor, por shumë njerëz do të votojnë edhe më herët. Votimi i hershëm, është një diçka e njohur në SHBA. Rreth 40 për qind e votave, u hodhën përpara Ditës së Zgjedhjeve në presidencialet e 2016-ë.
Po çfarë janë zgjedhjet e mesit në mandatit në SHBA? Pse kaq ka shumë interes mbi një proces, që nuk përfshin zgjedhjen e një presidenti? Cilat janë disa nga çështjet më të rëndësishme? Ç’domethënie kanë ato për pjesën tjetër të botës? Cilët janë skenarët e mundshëm?
Çfarë janë zgjedhjet e mesit të mandatit?
Të gjithë janë të njohur me zgjedhjet presidenciale amerikane, të cilat mbahen çdo 4 vjet, dhe janë një ndër garat politike më të ndjekura në botë. Por ekzistojnë edhe një palë zgjedhje të tjera – gara për në Kongrës, Senat, dhe ato për guvernatorë – që mbahen në mesin e mandatit të presidentit, nga këtu rrjedh termi “midterms elections”.
Të 435 vendet në Kongres do të rinovohen gjatë këtyre zgjedhjeve, pasi kongresmenët garojnë çdo 2 vjet. Tridhjetë e pesë nga 100 vende në Senat (anëtarët shërbejnë për mandate 6-vjeçare) janë në votim këtë vit. Po kështu mbahen zgjedhjet për guvernatorët në 36 nga 51 shtete.
Po pse kaq shumë shumë interes për këto zgjedhje? Sepse në lojë është shumëçka që lidhet me presidentin Trump. Partia që do të kontrollojë Kongresin, mund t’ia bëjë jetën të lehtë ose të vështirë shefit të Shtëpisë së Bardhë gjatë 2 viteve të fundit të mandatit të tij.
Cilat janë disa nga çështjet më të rëndësishme në këto zgjedhje?
Kujdesi shëndetësor, ekonomia dhe emigracioni. Kjo treshe çështjesh, është ajo që zien në mendjet e votuesve, teksa u drejtohen qendrave të votimit, sipas këtij sondazhi të CNN më herët gjatë këtij viti. Emigracioni, ashtu si në vitin 2016, është një nxitës veçanërisht i madh për votuesit republikanë. Ata i janë përgjigjur pozitivisht thirrjeve të presidentit Donald Trump për të mbështetur masat e ashpra kundër emigracionit ilegal, dhe dëshirën e tij për të ndërtuar një mur në kufirin jugor të SHBA-së me Meksikën.
Ç’do të thonë këto zgjedhjet për pjesën tjetër të botës?
Rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit, kanë gjasa të ndryshojnë mënyrën se si presidenti Trump perceptohet nga udhëheqësit e tjerë të botës. Një shfaqje e forcës nga ana e republikanëve, do të jepte përshtypjen se Trump ka një kontroll të fortë mbi vendin e tij, duke
e rikonfirmuar presidentin dhe agjendën e tij “Amerika e Para” në skenën botërore.
Trump do të nxiste me forcë ndryshime në mënyrën se si SHBA-ja sillet me aleatët e BE-së dhe NATO-s. Dhe ai mund të sfidojë më me forcë kinezët, në lidhje me çështjet e tregtisë, apo mosmarrëveshjeve territoriale në Detin e Kinës Jugore. Por nëse demokratët rrëmbejnë shumicën në Kongres, Senat ose në të dyja dhomat e parlamentit, Trump do të dukej shumë më i dobët. Administrata e tij mund të rrezikojë gati të paralizohet nga moria e hetimeve, që demokratët pritet të nisin nëse rifitojnë pushtetin e humbur. Homologët e Trump në kryeqytete të tjera botërore, nga Moska në Paris, do të inkurajoheshin të avanconin interesat e veta në kurriz të presidentit amerikan, të zënë me problemet e veta në shtëpi.
Cilët janë skenarët
Çfarë ndodh nëse republikanët fitojnë shumicën në Konges dhe Senat?
Trump do të forconte pozitat. Kërcënimi i hetimeve të reja nga Kongresi dhe Senati mbi anëtarë të administratës së tij, do të zbehej ndjeshëm. Trump dhe partia e tij, do të ushtronin presion për më shumë gjëra në “listën e tyre të dëshirave”:fonde për ngritjen e mureve në kufi; zhbërja tërësore e “Obamacare”, dhe ndoshta një ulje të dytë të taksave. Dhe një Senat i kontrolluar nga republikanët, do të konfirmonte gjyqtarët më konservatorë në Gjykatën e Lartë – dhe kjo mund të jetë trashëgimia kryesore e presidencës Trump.
Po nëse demokratët fitojnë Kongresin dhe Senatin?
Ky do të qe skenari i keq për Trumpin. Demokratët do të përfitonin plotësisht nga “kontrollet dhe balancat” e Kushtetutës së SHBA-së. Një senat i mbizotëruar nga demokratët, mund ta detyrojë Trumpin të emërojë më shumë gjykatës me mandate afatshkurtra, dhe agjenda e tij “Ta bëjmë Amerikën sërish të Madhe”, do të jetë zyrtarisht e “vdekur”.
Po sikur demokratët të fitojnë shumicën në Kongres, dhe republikanët mbajnë atë në Senat?
Kjo përzierje legjislative, cilësohet si rezultati më i mundshëm i këtyre zgjedhjeve. Por ka ende zona, ku të dyja palët mund të bëjnë gjërat së bashku. Shumë kongresmenë demokratë, përfaqësojnë zona elektorale, që janë më afër pozicionit të Trump mbi tregtinë. Ndaj mund të arrihen disa marrëveshje politike. Zëvendësimi i propozuar i Trump për NAFTA-n, marrëveshjes së tregtisë me vendet e Amerikës Latine, të cilin Kongresi ka gjasa të votojë në vitin e ardhshëm, do të jetë një provë e mirë për këtë.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce