Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim deklaroi se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, por njëkohësisht edhe probleme serioze, që sipas saj duhet të kapërcehen.
Në një intervistë ndryshe për emisionin ‘Real Story’, që është zhvendosur nga studiot e News24 në qytetin e Vlorës, Kim teksa u pyet në lidhje me reformën në drejtësi shtoi se shqiptarët e nënvlerësojnë fuqinë dhe rëndësinë e vet.
Sipas saj, politikanët hera-herës, luajnë dhe i bëjnë njerëzit të mendojnë se nuk kanë pushtet.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Duhet t’ju pyes për gjëra të tjera, por si ndiheni që Amerika po rishkruan historinë e vet? Për monumentet që po hiqen?
Ambasadorja Kim: Nuk e shoh si rishkrim të historisë së saj.
Sokol Balla: Është?
Ambasadorja Kim: Jo, nuk e shoh ashtu fare. Mendoj që ka një proces të përhershëm debati, një proces të përhershëm zbulimi dhe mendoj që për ne, procesi i përhershëm i përpjekjes për ta bërë Amerikën një bashkim më të përsosur. Në fakt besoj në këto gjëra. Nuk mendoj është propagandë, mendoj se është ajo që e bën Amerikën të madhe. Dhe mendoj që bota është e trishtuar me ne në njëfarë mënyre sepse është një moment i dhimbshëm për Amerikën. Por në të njëjtën kohë, shpresoj që bota edhe të frymëzohet sepse ajo që përpiqemi të bëjmë është që nuk përpiqemi t’i ikim problemit, por përpiqemi të përballemi me të. Dhe bëjmë më të mirën e mundshme. Hera-herës, bëjmë gabime, si çdo qenie njerëzore, por përpiqemi.
Sokol Balla: Por, për shembull, Udru Uilson…
Ambasadorja Kim: Po…
Sokol Balla: I detyrohemi ndoshta shtetin tonë dhe pastaj, kur dëgjon që amerikanët duan ta heqin nga ku është tani si statujë, është tepër për ne. Sepse është si babai ynë, i historisë sonë, shtetet tone, dhe duan ta heqin…
Ambasadorja Kim: …ëhë…
Sokol Balla: …ose duan t’i heqin kokën Kristofor Kolombit, është mjaft e rëndë, diçka shumë e fortë … Amerika mund ta përballojë, e dini, por pjesa tjetër e botës po vëzhgon…
Ambasadorja Kim: Po. Historia është komplekse, qeniet njerëzore janë komplekse, ndaj të shohim. Por mendoj se është e qartë që Presidenti Uillson luajti një rol shumë të rëndësishëm në historinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri dhe mendoj se duhet nderuar për këtë.
Sokol Balla: Pra, duhet t’i nderojmë njerëzit për atë që bëjnë, jo për atë që janë?
Ambasadorja Kim: Nuk jam filozofe, Sokol.
Sokol Balla: E di që jeni njeri shumë praktik.
Ambasadorja Kim: Jam person shumë praktik.
Sokol Balla: Dhe, t’ju them të vërtetën, jam habitur se sa shpejt u përshtatët me Shqipërinë, edhe në një situatë shumë të vështirë.
Ambasadorja Kim: Mendoni se është e vështirë?
Sokol Balla: Epo, e di që për ju gjithçka është shumë më e lehtë se sa për ne, por gjithsesi…
Ambasadorja Kim: Mendon…
Sokol Balla: Po, jeni përshtatur mjaft mirë. Duket se ju, ndryshe nga ambasadorët e tjerë, keni dy gjëra: përshtateni shumë shpejt dhe nuk humbni kohë. Pse?
Ambasadorja Kim: Mendoj se ka shumë gjëra tek Shqipëria dhe tek populli shqiptar që janë të njohura për mua.
Sokol Balla: Koreja?
Ambasadorja Kim: Po, po. Patjetër, patjetër, po.
Sokol Balla: Më thoni diçka rreth kësaj…
Ambasadorja Kim: Po ju tregoj, kur erdha këtu, takova dikë, shumë i rëndësishëm, që më tha, jam malësor. Jam nga malet. Dhe e kuptova në çast se çfarë po përpiqej të më thoshte, sepse edhe familja ime është nga malet. E dini, ka një lloj ethosi që iu përket njerëzve që janë nga malet dhe që janë krenarë që janë prej andej. I thashë familja ime është nga pjesa më e ftohtë e Koresë. Dhe…
Sokol Balla: Pra lart, duke shkuar në veri?
Ambasadorja Kim: Në Korenë e Jugut, por është pjesa më e ftohtë e vendit dhe, edhe njerëzit e mi janë njerëz të mbijetesës. Janë të fortë. Pra, ndjej një lloj ngjashmërie me shumë shqiptarë, dhe pastaj kur vij në një vend si Vlora, me detin, mendja më shkon tek Guami…
Sokol Balla: Guami…
Ambasadorja Kim: Po, ku u rrita, i cili është sigurisht shumë më i vogël se Shqipëria, por është i njohur për mua. Afërsia, kompleksiteti i problemeve, vështirësia për të zgjidhur problem sepse kushdo është i lidhur me këdo, e dini, nuk ka fije të pavarura, çdo gjë është e lidhur bashkë. Pra e kuptoj, mendoj…
Sokol Balla: T’ju ngacmoj pak se mendoj që Guami njihet edhe si ishulli i gjarpërinjve, apo jo?
Ambasadorja Kim: Oh, jo, kishim gjarpërinjtë kafe të pemëve, po.
Sokol Balla: Nuk janë më? Jo, atje janë, por nuk janë aq të rrezikshëm sa mendojnë njerëzit… janë gjarpërinj të padëmshëm…
Sokol Balla: Pra, jeni marrë edhe me gjarpërinj…
Ambasadorja Kim: …janë të padëmshëm…
Sokol Balla: Pra nuk ka surpriza aty, po?
Ambasadorja Kim: Jo, por e dini, Shqipëria është një vend i mrekullueshëm. Ka një histori të pasur. Ka potencial të jashtëzakonshëm por edhe disa probleme serioze, të cilat duhet t’i kapërceni dhe, e shoh si … – nuk është një projekt i SHBA. Këtë e vendos populli shqiptar. Duhet ta doni ju. Nuk mund ta dua unë më shumë se sa ju. Dakord?
Sokol Balla: E vërtetë…
Ambasadorja Kim: …dhe ne jemi këtu për të ndihmuar sa më shumë të mundemi. Ka qenë gjithnjë një nder për ne ta bëjmë këtë, por e para dhe e fundit, është populli shqiptar që duhet ta kërkojë atë. Populli shqiptar duhet ta dojë.
Sokol Balla: Po, por gjithsesi, duke pasur parasysh nga ana tjetër se, kur vjen fjala tek reforma në drejtësi, të gjithë e donim, edhe unë personalisht, por në fund të ditës, varej nga vullneti i politikanëve dhe unë dyshoj se ata e kishin vullnetin për ta bërë po të mos ishte për ju, dua të them Shtetet e Bashkuara.
Ambasadorja Kim: Sokol, mendoj që ju e dini, e kam thënë këtë më parë, populli shqiptar e nënvlerëson fuqinë e vet dhe rëndësinë e vet. Ka një rreng që mendoj e luajnë politikanët hera-herës, ku mund t’i bëjnë njerëzit të mendojnë se nuk kanë pushtet. Por, në një demokraci dhe, me gjithë të metat e saj, Shqipëria është ende një demokraci, njerëzit kanë rëndësi, ju jeni zotëri. Ndaj shpresoj që njerëzit nuk do ta harrojnë këtë.
Sokol Balla: Njerëzit nuk e harrojnë atë, por nga ana tjetër, kur shohin rezultatin pas 30 vitesh është se faktikisht nuk kanë rëndësi. Ata votojnë dhe vullneti i tyre nuk respektohet nga politikanët e tyre.
Ambasadorja Kim: Ok, unë kam një pikëpamje të ndryshme.
Sokol Balla: Që është?
Ambasadorja Kim: Unë mendoj që populli shqiptar ka rëndësi. Mendoj që ajo që do populli shqiptar në fakt bën dallimin. Ndryshimi i llojit dramatik kurrë nuk është i menjëhershëm. Kurrë nuk është i lehtë. Dhe kurrë nuk është një lëvizje e pastër lineare. Ndryshimi e sjell përparimin në mënyrë ciklike. Është si të shohësh baticën dhe zbaticën. Nuk ecën thjesht përpara, por ka baticë dhe ka zbaticë, vjen dhe ikën. Pra, shpresa për njerëzit është që të mos heqin dorë kur shohin se ka zbaticë për pak kohë sepse batica do të vijë përsëri, më e fortë se kurrë. Në këtë kuptim, jam optimiste.
Sokol Balla: Epo, edhe unë, por jam edhe realist, Zonja ambasadore, kur shoh veten. Pas 30 vjetësh, duket sikur brezi im humbi dhe thjesht shpresoj që do të jetë koha e duhur për fëmijët e mi…
Ambasadorja Kim: Po…
Sokol Balla: …por ju jeni prapëseprapë optimiste?
Ambasadorja Kim: Jam gjithmonë optimiste…
Sokol Balla: …siç e thatë, batica gjithmonë vjen.
Ambasadorja Kim: Jam gjithmonë optimiste. Amerikanët janë gjithmonë optimistë.
Sokol Balla: Faleminderit Zotit për këtë. Dakord, do të shihemi më vonë?
Ambasadorja Kim: Do takohemi më pas…
Sokol Balla: Shihemi, dakord …
Ambasadorja Kim: OK
Sokol Balla: Mirupafshim. /BW