Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim deklaroi në një intervistë për “Zërin e Amerikës” se kush thotë se është habitur nga vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit për zotin Berisha, me gjasë nuk është shumë i sinqertë.
Zonja Kim shpjegon se kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Duke folur për Qeverinë e re, ambasadorja amerikane thotë se stili “si zakonisht” pra një ecuri në nivel mesatar nuk mjafton dhe se ajo ka “barrën” që të dëshmojë dhe në fakt të ndërmarrë hapa që pastrojnë korrupsionin në vend.
Zëri i Amerikës: Ambasadore Kim, faleminderit për këtë intervistë. Ditët e fundit, në qendër të vëmendjes kanë qenë zhvillimet në Partinë Demokratike, pas vendimit të zotit Basha për të lënë jashtë grupit parlamentar ish kryetarin Sali Berisha. Një vendim që ju e keni përshëndetur. Megjithatë zoti Basha ka deklaruar se ai ka qenë i detyruar të ndërmarrë një hap të tillë, duke nënkuptuar një kërkesë të panegociueshme nga pala amerikane. Por nuk kanë qenë të pakët zërat që nuk e shohin normale që një forcë politike të detyrohet të mbajë këtë apo atë përfaqësues të saj. Çfarë do ndodhte nëse zoti Basha nuk do ndërmerrte një veprim të tillë?
Ambasadorja Kim: Shikoni, ky është një vend i lirë. Është vend aleat në NATO. Dhe udhëheqësit duhet të marrin përgjegjësi për vendimet e tyre. Për sa i përket Shteteve të Bashkuara, pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë që nga fillimi në lidhje me personat e përcaktuar. Dhe, nuk kam gjë tjetër për të shtuar për këtë çështje.
Zëri i Amerikës: Zoti Berisha gjithnjë ka këmbëngulur në faktin se për të nuk ka prova, se vendimi është marrë ga informacionet e OJQ të sponsorizuara nga Soros, dhe se sipas tij edhe zoti Basha ju ka kërkuar ju prova? A i keni dhënë zotit Basha, informacione, përtej atij formulimi publik të Sekretarit Blinken?
Ambasadorja Kim: Do të thoja që këto histori konspiracioni janë të pavend për një vend aleat në NATO dhe aspirant për në BE. Ditët e teorive të konspiracionit duhet t’i përkasin të shkuarës. Tani, e gjitha ka të bëjë me faktet. Dhe do t’ju them që procesi për përcaktimin e individëve, sidomos individëve të rëndësishëm, është një proces shumë i gjatë dhe shumë tërësor. Dhe, në kohën kur një vendim shkon përpara Sekretarit të Shtetit, pra që të nënshkruhet nga Sekretari i Shtetit, ai ka kaluar nëpër shumë e shumë nivele shqyrtimi. Mendoj se është e drejtë të thuhet që në shumicën e rasteve, në të gjitha rastet, dhe nuk flas vetëm për Shqipërinë, po flas për të gjithë botën, në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë.
Zëri i Amerikës: A ju ka kërkuar informacion Zoti Basha?
Ambasadorja Kim: Ka kërkuar publikisht. E kemi dëgjuar. Kemi parë edhe deklaratat nga të tjerë. Kur vjen fjala tek Qeveria e SHBA, për këto përcaktime ekziston një proces.
Zëri i Amerikës: Pse masa ndaj zotit Berisha u mor tani, kur ai ka 8 vjet që nuk është në pushtet?
Ambasadorja Kim: Shkuarja deri në fund të këtyre proceseve kërkon një kohë të gjatë. Përsëris, dua të sqaroj që nuk është pjesë e ndonjë teorie të çmendur konspirative që vë në shënjestër politikën e brendshme këtu. Uashingtoni nuk merret me diçka të tillë.
Zëri i Amerikës: Sanksionet e qeverisë amerikane ndaj zyrtarëve apo ish zyrtarëve të lartë, janë zgjedhur si një instrument për të luftuar korrupsionin në një vend të caktuar. Megjithatë, a rrezikohet që efikasiteti i një mase të tillë të minohet nëse vetë autoritetet lokale të drejtësise, nuk e ndjekin më pas, nuk e shoqërojnë me ndonjë hetim?
Ambasadorja Kim: Pavarësisht nëse këto vendime janë për në Shqipëri apo ndokund tjetër në botë, siç e thashë më herët, në momentin që këto vendime çertifikohen nga Sekretari i Shtetit dhe shpallen nga Sekretari i Shtetit, ato janë shumë të dukshme dhe do të ishte me vend që autoritetet vendase të shikonin masat.
Zëri i Amerikës: Duke kaluar tani në kampin tjetër, atë të qeverisë. Tanimë është e njohur përbërja e kabinetit të ri. Çfarë prisni ju nga qeveria e re shqiptare, ndonëse kemi të njejtin kryeministër dhe vetëm pak emra të ndryshuar?
Ambasadorja Kim: Mendoj se fakti që Kryeministri Rama ka fituar një mandat të tretë të paprecedent vendos një përgjegjësi të jashtëzakonshme mbi të dhe ekipin e tij për të fituar, për të demonstruar se e kanë fituar besimin e popullit shqiptar. Mendoj që stili “si zakonisht,” pra performanca në nivel mesatar nuk mjafton. Mendoj se ekzistojnë mundësi historike përpara zotit Rama dhe pjesës tjetër të kabinetit, qoftë nëse flitet për reformën në drejtësi dhe konsolidimin e institucioneve të demokracisë; qoftë nëse flitet për rritjen dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara; qoftë nëse ka të bëjë me pastrimin e gjykatave dhe sqarimin e të drejtave të pronësisë në mënyrë që investimet të fillojnë të rriten fort këtu në Shqipëri në një mënyrë që është shumë më normale.
Zëri i Amerikës: Një ndër tre prioritetet e misionit tuaj në Shqipëri, është biznesi, krjimi i një klime të favorshme për investimet amerikane. Por ndërsa dy kompani të mëdha, po përgatiten për të hyrë në sektorin energjitik, besimi i atyre që punojnë në Shqipëri ka ardhur duke u ulur. Sondazhi i fundit e Dhomës amerikane të Tregtisë, tregon një rënie në nivelet e vitit 2012. Ata flasin për problem me taksat, me monopolet, me prani të asaj që njihet si oligarki. Pra nëse i referohemi ndjesisë së sipërmarrësve të Dhomës amerikane, situata duket e përkeqësuar….
Ambasadorja Kim: Mendoj se duhet të shihni të dhënat faktike për nivelet e investimit, por ia vlen të dëgjohen ndjenjat që shprehen nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe investitorë të tjerë. Mendoj se është diçka e mirë që Kryeministri ka ngritur një forum ku dhomat e ndryshme të tregtisë, jo vetëm amerikane, por italiane, gjermane, një numër dhomash të tjera, bëhen bashkë për të ndarë idetë e tyre dhe, në fakt, në disa raste, për të paraqitur kërkesat e tyre.
Është diçka e mirë të ndodhë, por më gjerësisht, mendoj që ajo që pasqyrojnë këto raporte është fakti që korrupsioni vret investimet. Vret shpresën. Prandaj, duhet zgjidhur korrupsioni. Nuk është çështje morale, nuk është çështje vetëm morale. Është një çështje e biznesit. Është një çështje e begatisë. Është çështje e sigurisë. Pra, gjykatat duhet të jenë të pastra. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kalojnë vettingun. Rregullat duhet të jenë të qarta dhe proceset duhet të ndodhin në kohë dhe duhet të jenë të efektshme dhe, në fund të ditës, mendoj se barra i bie qeverisë që të demonstrojë dhe në fakt të ndërmarrë hapa që pastrojnë korrupsionin, që sigurojnë që reforma në drejtësi zbatohet shpejt, dhe që të bëjë të qartë se cilat janë rregullat dhe procedurat dhe, përsëris si në fillim, të drejtat e pronësisë qëndrojnë në thelb të kësaj. Pra, kjo është fusha e madhe ku qeveria e re, e cila është qeveria e vjetër, mund të bëjë një dallim të madh historik.
Zëri i Amerikës: Zonja Kim, si i përgjigjeni ju kritikave, që ju shohin më të afër me qeverinë?
Ambasadorja Kim: Kjo është një akuzë me të cilën përballen diplomatë amerikanë kudo në botë dhe diplomatët në përgjithësi. Shpresoj që njerëzit të kuptojnë që si diplomatë, e dini, mua më ka dërguar Presidenti amerikan për të përfaqësuar interesat tona pranë qeverisë shqiptare. Pra, ka një arsye që kur vjen një diplomat amerikan, ai ose ajo shkon tek kreu i shtetit dhe paraqet letrat kredenciale. Pra, detyra ime e parë, përparësia ime e parë është të sigurohem që qeveritë tona të kenë një marrëdhënie të mirë pune. Por përtej kësaj, diplomacia ka të bëjë me më shumë se thjesht qeveri me qeveri; ka të bëjë edhe me marrëdhënien njerëz me njerëz, madje edhe bizneset. Dhe prandaj më shikoni mua dhe diplomatë të tjerë në ambasadën amerikane të udhëtojmë rretheqark vendit, sepse kemi punë këtu në Tiranë me zyrtarë qeveritarë, por kemi shumë më tepër punë – dhe kur them punë, flas për marrëdhëniet – me pjesën tjetër të Shqipërisë.
Prandaj takohem kaq shpesh me anëtarët e opozitës, qoftë zotin Basha apo një numër njerëzish të tjerë. Dhe kam në plan të vazhdoj të udhëtoj rretheqark Shqipërisë sepse dua të takohem me qytetarë të thjeshtë. Dua të di se ç’kanë në mend ata. Dua të kem mundësinë t’iu shpjegoj pozicionin e SHBA atyre përballë. Dhe nëse nuk janë në një mendje me diçka që them unë, dua të dëgjoj se çfarë pyetjeje kanë dhe të kem mundësinë t’i përgjigjem drejtpërdrejt. Deri tani, kam pasur disa biseda zhbiruese dhe ndriçuese. E dini, isha në Dibër pak javë më parë kur u ngjita në malin e Korabit. Kur isha atje, takova shumë njerëz në bulevardin kryesor. Më pëlqen të eci dhe të bëj biseda të vërteta sepse jam shumë e ndërgjegjshme që kur jam në Tiranë, kam një axhendë të mbushur plot dhe çdo person me të cilin flas është dikush që e kam takuar më parë, dhe ata dinë si t’i bëjnë këto biseda. Janë shumë, nuk dua të them të stisura, por kanë një lloj modeli të përhershëm. Më pëlqen të dal jashtë Tiranës sepse ka raste kur dikush s’ka takuar kurrë një diplomat amerikan më parë dhe janë njerëz që kanë mendimet e tyre, kanë përvojën e jetës së tyre; kur eci në Tiranë, e di që nuk është gjithë Shqipëria, që ka shumë më tepër atje jashtë saj. Më pëlqen të shkoj në male. Ua kam thënë njerëzve më parë, e dini, familja ime në Kore është nga malet më të thella, më të ftohta në gadishullin Korean dhe, nuk e di nëse është ky shkaku, por ndihem në shtëpi këtu, në male. Në të njëjtën kohë, jam rritur në një ishull tropikal dhe kur shkoj në jug, në Himarë apo Sarandë, ndihem shumë rehat edhe atje. Por këto biseda janë vërtet frymëzuese dhe janë shumë informuese sepse nuk përdorin pikat që duhen thënë. Dhe kur flas me ta, as unë nuk përdor të tilla, ndaj vërtet e vlerësoj atë mundësi dhe shpresoj ta vazhdoj.
Zëri i Amerikës: Reforma në Drejtësi ka qenë kryefjalë e aktivitetit tuaj në Shqipëri. Në mesin e vitit të ardhshëm, përfundon mandati i misionit të operacionit ndërkombëtar të monitorimit. Një mekanizëm që ka shërbyer për t’i dhënë besim procesit të vettingut, dhe që në fakt ka ndikuar në përmbysjen e një numri të konsiderueshëm të vendimeve të Komionit të Pavarur të Kualifikimit. Mandati i këtij misioni është përfshirë si një dispozitë tranzitore në Kushtetutën shqiptare. A do të ishit ju në favor të zgjatjes së këtij mandati, duke marrë në konsideratë faktin se jemi diku te gjysma e prokurorëve dhe gjyqtarëve që ende nuk i janë nënshtruar vettingut?
Ambasadorja Kim: Vettingu mbetet themeli për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe më herët këtë javë, pas disa takimesh në format virtual, më në fund pata mundësinë të shkoja për vizitë fizikisht tek KPK dhe ramë dakord që puna e KPK është e rëndësishme, që kanë përmirësuar performancën e tyre me kalimin e kohës, që kanë pasur sukses kur kanë vënë disa synime shumë ambicioze për shifrat këto muajt e fundit dhe i kanë përmbushur ato. Ka ende shumë gjyqtarë dhe prokurorë që mbeten për të kaluar vettingun dhe po shohim të gjitha opsionet e ndryshme, përfshi atë që përmendët ju, por nuk kam ndonjë gjë për të shpallur.
Zëri i Amerikës: Javën e shkuar, madje dhe para pak ditësh, ju takuat kreun e SPAK, dhe u shprehët se nënvizuat “pritshmërinë e SHBA që SPAK do të ndjekë penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar – pavarësisht sa i fuqishëm apo i pasur, pavarësisht se cila parti”. A janë pritshmëritë tuaja më të larta tani, kur në krah të SPAK është reshtuar dhe BKH?
Ambasadorja Kim: Nuk mendoj se kanë rëndësi pritshmëritë e mia. Sigurisht, investimi i SHBA ka rëndësi dhe fakti që vazhdojmë të investojmë tek SPAK dhe BKH është një tregues i asaj që shpresojmë të marrim si rezultat. Por pritshmëritë që vërtetë kanë rëndësi janë ato të popullit shqiptar. Nëse mendojmë se ku ishim një vit më parë, njerëzit talleshin me SPAK, e dini, i mbaj mend shakatë dhe karikaturat me S’KAP. Tani, një vit më pas, teksa SPAK ka treguar rezultate, perceptimi i njerëzve ka ndryshuar dhe cilido tani thotë, nëse ka diçka që nuk shkon, do të të raportoj në SPAK. Për mua, kjo tregon se ata besojnë që SPAK është i efektshëm. Dhe në fakt, të dhënat tregojnë që është ashtu.
U habita pa masë kur kërkova ca informacione dhe mësova, për shembull, se që kur SPAK u ngrit në vitin 2019 e deri në ditën e fundit të gushtit 2021, ka konfiskuar 70 milionë euro asete të personave që janë dënuar dhe gjykatat e kanë konfirmuar këtë dhe këto asete i kanë kaluar shtetit, ashtu siç duhet. 70 milionë euro në një vit e gjysmë. Krahasojeni këtë, hamendësoni, gjejeni se sa u konfiskua për periudhën 2011 deri 2019 – 20 milionë euro. Mendoj se është diçka që tregon shumë. Do t’ju them edhe që gjatë vitit kur ka funksionuar SPAK, kanë shqyrtuar 7-800 çështje dhe i kanë përpunuar ato; ka pasur rreth 250 individë të dënuar dhe kur shikon nivelin e dënimeve, është mbresëlënëse: 90% e rasteve që SPAK ka ndjekur çojnë në dënime, goxha mirë. Dhe pritshmëria ime është që me BKH-në, që tani ka marrë në punë gjysmën e 60 hetuesve që kërkojnë, kapacitetet e SPAK do të rriten edhe më tej. Dhe, gjithmonë them për reformën në drejtësi – nuk është e lehtë, e shpejtë, apo e përkryer, por sigurisht po shohim rezultate dhe mendoj që njerëzit e zakonshëm po shohin rezultate. Mendoj se edhe më shumë do të vijnë.
Zëri i Amerikës: Cila është ndihma konkrete që BKH po merr nga Shtetet e Bashkuara?
Ambasadorja Kim: Deri tani, kemi kontribuar më shumë se 4 milionë dollarë në trajnime dhe pajisje. Mbështetja më e madhe sigurisht është me ekspertizë dhe ka të paktën 2 ose 3 ish-agjentë të FBI-së, ekspertë të vërtetë që kanë përvojë dhe ekspertizë praktike, që janë këtu, të lidhur me ambasadën dhe po ndihmojnë hetuesit e rinj të FBI-së, që të zhvillojnë të njëjtat shprehi, që të mund të jenë agresivë, dhe që të jenë të aftë të kryejnë funksionet e tyre.
Zëri i Amerikës: Ambasadore Kim, shumë faleminderit për këtë intervistë.
Ambasadorja Kim: Faleminderit shumë për mundësinë