Fatmir Xhafaj përmes një postimi në rrjetet sociale ka përshëndetur fillimin e vettingut në radhët e Policisë së Shtetit. Sipas Xhafajt, themelet për këtë process janë hedhur që në kohën që ai shërbeu si ministër i Brendshëm.
“Një lajm i mirë. Nisi dje seanca e parë e vettingut për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA. Vettingu një standard ndërkombëtar, jetik për krijimin e një trupe policore profesioniste dhe me integritet të lartë moral dhe profesional. U punua fort për muaj të tërë gjatë 2017, për konceptimin e kësaj reforme”, u shpreh Xhafaj
Një nga mesazhet e rëndësishme që Xhafa mundohet të përcjellë është që vettingu në polici të bëhet jashtë ndikimit të politikës. Për të, vettingu në drejtësi dhe në Policinë e Shtetit sjell shpresë në ringritjen e institucioneve me standard.
“U zvarrit pa asnjë shkak, për arsye krejt subjektive, por më mirë vonë se kurrë! Shpresoj që gjithçka të eci mbarë përmes një procesi objektiv, të paanshëm dhe profesional jashtë çdo ndikimi politik dhe shtetëror. Asistenca e mbikëqyrja ndërkombëtare, por edhe transparenca e medias së lirë, një garanci e madhe. Vettingu në Polici së bashku me zbatimin e Reformës në Drejtësi shpresë dhe besim në ringritjen e institucioneve në standardet europiane si parakusht për luftën reale kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe konsolidimin e shtetit të së drejtë”, përfundon Xhafaj.