Aktualitet

Manastirliu i bashkohet ‘nismës 17+1’: Shqipëria potencial për turizmin mjekësor


               Publikuar në : 12:43 - 06/11/19 B H

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirlliu ka marrë pjesë në forumin e katërt të ministrave të Shëndetësisë, të Evropës Qendrore e Lindore dhe Kinës.

Forumi u zhvillua në Sofie të Bullgarisë, në kuadër të nismës 17+1, ku morën pjesë ministra nga vende të ndryshme. Në fjalën e saj, Manastirlliu foli se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi mes vendeve pjesëmarrëse në forum.

“E çmoj të rëndësishëm këtë Forum për shkëmbimin mes vendeve tona për çështje të një rëndësie parësore, siç janë parandalimi i sëmundjeve infektive, masat për antibiotiko-rezistencën. Mund të mësojmë nga njëri-tjetri më shumë përmes shkëmbimit të eksperiencave mes profesionistëve të shëndetit, forcimit të ndërveprimit për emergjencat shëndetësore dhe masat konkrete për t’i bërë ballë një kërcënimi serioz për shëndetin publik, siç është rezistenca ndaj vaksinimit”, tha Manastirliu.

Duke theksuar përmirësimet e bëra në pesë vitet e fundit në shërbimet e kujdesit bazë, Manastirlliu tha se Shqipëria ka potencial zhvillimi të lartë për turizmin mjekësor.

“Shqipëria gëzon sot potencial zhvillimi të lartë për turizmin mjekësor, si një ndër vendet që zotëron profesionistë të kualifikuar dhe shërbime të teknologjisë së përparuar, duke siguruar një mjedis të mirë për vendet e Evropës Juglindore e më gjerë”, tha Manastirliu.

Kthehu
WhatsApp Denonco ne TT