Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka folur rreth çështjes së dialogut për normalizim të raporteve me Kosovën.
Gjatë konferencës së përbashkët me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Vuçiç korrigjoi kryeministrin Albin Kurti, i cili tha se mes dy shteteve janë nënshkruar gjithsej 33 marrëveshje.
Sipas Vuçiç, kjo nuk është e vërtetë pasi mes Kosovës dhe Serbisë janë nënshkruar gjithsej 48 marrëveshje.
“Kam dëgjuar që kryeministri i ri në Prishtinë ka thënë se kemi 33 marrëveshje, kështu që unë dua ta informojë atë se kemi 48 marrëveshje, ai duhet ta dijë të paktën nëse është gati për bisedime”, ka thënë kreu i shtetit serb.
Vuçiç tha më tej se pret të ketë raporte me të mira me Albin Kurtin se sa ato që kishte me Ramush Haradinajn.
“Unë jam një realist i ashpër dhe shumë pragmatik. Shpresoj se do të kemi diskutime serioze me njerëz të përgjegjshëm”, tha ai.